Bojaxhi denoncon “Bulevardin e ri”: Projekt i klientëve të Bashës

08/06/2015 00:00

Kandidati i Pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi, ka denoncuar këtë të hënë atë që ai e quan mënyrën sesi u harrua dhe sesi kërkohej të zbatohej projekti për Bulevardin e ri të Tiranës.

Në një deklaratë për mediet, Bojaxhi është shprehur se projekti u hartua për t’i shërbyer klientëve dhe jo qytetarëve. Siç bën të ditur ai, projekti parashikon që bulevardi të ndërtohet me paratë publike, ndërsa pronarët e tokave do të shpronësohen me tarifa qesharake, pavarësisht se ky investim publik rrit thuajse me dhjetëra herë vlerën e tokave anash dhe përgjatë tij.

Bojaxhi ka shkuar edhe më tej me denoncimin e tij, duke akuzuar ata që i quan klientë të kryetarit aktual Basha dhe të partisë së tij në opozitë, të cilët pasi ishin informuar mbi këtë investim, kanë bërë kontrata parablerjeje përreth vijës ku do të kalojë Bulevardi i ri i Tiranës.

“Kostot për ndërtimin e bulevardit do t’i paguajnë qytetarët, por edhe pronarët e pafatë, të cilëve iu ra lapsi për shpronësim kundrejt vlerave shumë qesharake, ndërsa fitimet prej dhjetëra-miliona euro do t’i vjelin klientët e kryebashkiakut të sotëm, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike. Aq shumë ka qenë në shërbim të klientëve të tij ky projekt, saqë në të nuk janë planifikuar objekte publike dhe sociale, përfshi edhe ato më të detyrueshmet që lidhen me sigurinë, si policia e zjarrfikësja; por edhe me shëndetësinë, me kulturën apo me sportin. Për këto qyteti ka kaq shumë nevojë”, ka deklaruar Gjergj Bojaxhi.

Sipas planit të kandidatit të Pavarur për Tiranën, Bojaxhi, kjo zonë duhet të zhvillohet si një projekt i vetëm dhe jo me konceptin që qytetarët të paguajnë të gjitha kostot, kurse zhvilluesit të marrin të gjitha fitimet. E vetmja mënyrë për të zhvilluar përpara Tiranën, sipas Bojaxhi, është që zhvillimi të harmonizohet me plotësimin e kushteve minimale për sigurinë dhe cilësinë e jetës.

Top Channel