Thashethemet na bëjnë të lumtur dhe… njerëzorë

08/06/2015 00:00

Shumë njerëz ndihen keq pasi kanë bërë thashetheme për kolegët ose një mik të tyrin, por ekspertët tregojnë se thashethemet na bëjnë njerëzorë dhe na ndihmojnë që të jetojmë më gjatë.

Thashethemet dallojnë specien tonë, nga speciet tjera të gjalla, ndërsa ato na ndihmojnë që të marrim sa më shumë informacion dhe se kujt duhet t’i besojmë.

Profesori i Psikologjisë në Universitetin e Oksfordit Robin Dunbar, mendon se thashethemet janë gjëja më e rëndësishme për njeriun, madje është edhe arsyeja kryesore që na mban gjallë.

“Thashethemet janë thjesht biseda me njerëz, të cilët i mbajmë të informuar me atë që ndodh. Thashethemet na bëjnë njerëzor. Ato nuk janë parë në këndvështrimin negativ deri në shekullin 18.  Kanë një impakt të madh te njeriu, sidomos kur bëhet fjalë për lumturinë dhe mbarëvajtjen”, është shprehur profesori Dunbar.

Ndërkohë, edhe profesori i historisë në Universitetin e Jerusalemit, Yuval noah Harari ka thënë se ata që bëjnë thashetheme, tregojnë se kujt duhet t’i besojmë dhe kujt jo. Sipas tij, pjesa më e madhe e komunikimit njerëzor mbulohet nga thashethemet.

“Sot pjesa më e madhe e komunikimit njerëzor mbulohet nga thashethemet, pavarësisht nëse është e-mail apo telefonatë. Kjo vjen shumë natyrshëm, sa që duket sikur aftësinë për të folur e shfrytëzojmë vetëm për këtë gjë”, është shprehur ai.

Top Channel