Kupa e Amerikës; Vidal humbet sërish avionin, rrezikon debutimin me Kilin

08/06/2015 00:00

Nuk është hera e parë, ndaj dhe po përforcohet gjithnjë e më shumë fakti se raporti mes Arturo Vidal dhe avionëve nuk është i lehtë për t’u përballuar.

Mesfushori i Juventusit, i ndodhur në Aeroportin e Madridit, humbi fluturimin që do ta dërgonte në Santiago të Kilit, ku do të bashkohej me shokët e tij të ekipit kombëtar, gjë që do t’i duhet ta bëjë me patjetër mëngjesin e së martës, më pak se 48 orë përpara debutimit të Kilit, vend organizator, në Kupën e Amerikës Latine, ndaj kombëtares së Ekuadorit (të enjten në 20:30 me orën lokale, pas mesnate për ne).

Edhe pse trajneri i kombëtares kilene, Sampaoli, ka besim të plotë se Vidal do të mbërrijë në atdheun e tij në kushte perfekte, kjo edhe për shkak se ai vjen nga finalja e humbur e Champions League me Barcelonën, të shtunën në mbrëmje, ai ka bërë gati edhe planin rezervë: nëse nuk do të jetë në “top formë”, në vend të mesfushorit të bardhezinjve do të aktivizohet David Pizarro.

Fluturimet për në Kili apo nga Kili kanë qenë gjithnjë burim polemikash për Vidal. Ai që u bë më i bujshmi, ka qenë rasti i tetorit 2013, kur mesfushori nuk ishte i pranishëm në Vinovo së bashku me shokun e tij të kombëtares, Mauricio Isla, që zyrtarisht u justifikua për një “rast familjar”.

I gjendur në ato rrethana, Antonio Conte, ish-trajner i Juventusit, vendosi ta ndëshkonte me përjashtim nga ndeshja e ardhshme e kampionatit, me Fiorentinën, duke mos e grumbulluar as në pankinë.

Top Channel