Bleta detyron pilotin të bëjë ulje emergjente

08/06/2015 00:00

Një avion i kompanisë “Flybe” është detyruar të rikthehet në aeroportin e Sauthemptonit, vetëm 10 minuta pasi ishte ngritur në qiell. Arsyeje për këtë ka qenë një bletë, e cila është parë nga pilotët në njërën nga pajisjet për drejtimin e avionit.

Avioni kishte për destinacion Dublinin, por piloti nuk ka dashur të rrezikojë, dhe ka bërë ulje në Sauthempton, për t’u ringritur sërish në qiell vetëm pas dy orësh. Menjëherë pas aterimit, inxhinerët kanë ndërhyrë në pajisje dhe kanë larguar bletën që nuk kishte mbijetuar.

Pasi kishin ateruar, disa nga udhëtarët kanë treguar se si piloti kishte dhënë njoftimin se duhej të ktheheshin në Sauthempton, për shkak se një bletë kishte ngecur në një pajisje të avionit.

“Kemi qenë 10 ose 15 minuta larg Sauthemptonit, por më pas u njoftua për një problem në sistemin e navigacionit. Kur piloti na njoftoi se kush e kishte shkaktuar, nuk e dinim nëse duhet të qeshnim apo të qanim”, është shprehur Noel Rooney.

Kompania “Flybe” ka konfirmuar për incidentin, por ka thënë se siguria e udhëtarëve është në radhë të parë, prandaj për çdo shqetësim avioni mund të kërkojë ulje emergjente.

“Avioni që kishte për destinacion Dublinin është rikthyer sërish në aeroportin e Sauthemptonit për shkak të disa problemeve teknike. Inxhinierët kanë konstatuar se shkak i problemit ka qenë një bletë. Siguria është primare për ne, por nëse dikush prej udhëtarëve është shqetësuar, atëherë kërkojmë ndjesë”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Top Channel