Kolegji Zgjedhor rrëzon ankimimin, PDIU pa numërues në zgjedhje

08/06/2015 00:00

PDIU nuk do të ketë përfaqësues në Grupet e Numërimit të Votave për zgjedhjet e 21 Qershorit. Trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor rrëzoi ankimimin e kësaj partie duke lënë në fuqi vendimin e marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas ligjit, numëruesi i takon partisë së dytë të secilit koalicion të dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Mbi këtë bazë, PDIU pretendonte të kishte një numërues nga katër të tillë, duke bërë që në përfundim shumica të kishte 3 nga 4 numëruesit që kanë grupet e numërimit.

Debati lindi se ku duhej të konfigurohej PDIU, që ka dalë nga koalicioni i djathtë dhe tani garon me të majtën. Pas disa votimeve në KQZ, kjo parti ngeli jashtë dy koalicioneve në pretendimin për numërues.
 
Për të mos humbur balancën mazhorancë–opozitë, ishin tre anëtarët e propozuar nga e majta dhe kryetarja e KQZ-së, që ngritën dorën që numëruesi t’i takojë Partisë Republikane, propozim që nuk u votua nga të propozuarit nga opozita në KQZ, për shkak se mbështesnin një tjetër variant të ndarjes brenda koalicionit të së drejtës së numëruesve.

Top Channel