Obama: Rusia, ende trupa ruse në Ukrainë. Sanksionet e kanë zhytur në recesion

08/06/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, bëri të ditur gjatë kësaj të hëne se forcat ruse vazhdojnë të operojnë në Ukrainën lindore, pavarësisht mohimeve të vazhdueshme të Moskës, ndaj dhe demokracitë e mëdha dhe industriale të botës janë të gatshme të vendosin sankione shumë herë më të ashpra, nëse do të jetë e nevojshme.

Obama foli gjatë një konference për shtyp, pas takimit të 7 kombeve më të industrializuara të botës (G7) në Gjermani, duke deklaruar se sanksionet ekzistuese do të mbeten në fuqi deri sa Moska dhe rebelët e mbështetur prej Rusisë në lindje të Ukrainës të respektojnë plotësisht marrëveshjen e armëpushimit të negociuar në Minsk të Bjellorusisë, gjatë muajit shkurt.

“Siç e kemi parë sërish gjatë ditëve të fundit, trupat ushtarake ruse vazhdojnë të operojnë në Ukrainën lindore, në shkelje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, tha Obama. “Rusia ndodhet në recesion të thellë. Ndaj dhe mund të themi se veprimet e Rusisë në Ukrainë janë duke dëmtuar vetë Rusinë dhe popullin rus”, shtoi më tej Presidenti i Shteteve të Bashkuara. “Megjithatë, vendet e G7 duan të bëjnë të qartë se, nëse do të jetë e nevojshme, ne jemi të gatshëm të vendosim sanksione të tjera edhe më të rënda kundër Rusisë”.

Top Channel