Historia e amerikanes që u bë shqiptare

08/06/2015 00:00

Pak njerëz e dinë se, gjatë shekullit të kaluar, në fshatrat e Mallakastrës ka jetuar një amerikane. Ajo quhej Silvi, por banorët e thërrisnin Selvi.

Ishte njohur me Ali Brahamajn në Kolorado, në vitin 1924, ku të dy punonin në Ambasadën e Turqisë në Amerikë. Pasi kuptuan që ishin bërë për njëri-tjetrin, Aliu martohet me Selvinë në fshatin e lindjes, Greshicë, disa kilometra larg Ballshit.

Për hir të dashurisë, e reja me profesion infermiere la Amerikën për t’u përshtatur me jetën e fshatit shqiptar.

Nuk mund të bënte fëmijë, por kjo nuk e pengoi  t’i jepte bekimin Aliut të merrte një grua tjetër për të lënë pasardhës. Nga martesa e dytë erdhën në jetë 5 fëmijë: Henria, Merushja, Ramadani, Idajeti dhe Tajbeja. Edhe pse nuk e kishin nënë biologjike, ata e donin si të ishte e tillë.

Në vitin 1962, Selvija ndërron jetë dhe varroset në Greshicë, në të njëjtin vend ku ishte varrosur Aliu. Disa vite më pas, po aty varroset dhe gruaja e dytë. Bashkë në jetë, ata nuk u ndanë as në vdekje.

Në vitin 2007, Selvija është shpallur “Qytetare Nderi” e Greshicës, ndërsa pasardhësit e kujtojnë edhe sot e kësaj dite historinë e amerikanes që u bë shqiptare, nga dashuria e madhe për të shoqin mallakastriot.

Top Channel