Greqia, sërish e gatshme për kompromis; Merkel: Nuk mbetet edhe shumë kohë

08/06/2015 00:00

Greqia shpalli një gatishmëri të re për arritjen e një kompromisi me huadhënësit e saj ndërkombëtarë, këtë të hënë, teksa Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi se ka mbetur shumë pak kohë për një akord “reforma në këmbim të parave”, në mënyrë që ta mbajnë vendin brenda Eurozonës.

Vetëm 3 ditë pasi kryeministri Alexis Tsipras refuzoi propozimin e fundit nga BE dhe FMN duke e quajtur “absurde”, qeveria greke ka bërë të ditur se është e gatshme të negociojë një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët deri në fund të këtij muaji; kur programi i shpëtimit për Greqinë skadon dhe kur vendi helen do të përballet me falimentin për shkak të borxheve.

Pavarësisht kësaj atmosfere të re pozitive, një zyrtar i BE-së tha se nuk ka ende “ndonjë zhvillim të ri” në synimin për të arritur një marrëveshje, sipas së cilës kreditorët do të rifillojnë dhënien e ndihmës ndaj Athinës, në këmbim të premtimit për reforma dhe më shumë masa shtrënguese.

Athina dhe Brukseli këmbyen propozimet e tyre gjatë javës së kaluar, me shpresën për të tejkaluar ngërçin, i cili nëse nuk zgjidhet do ta detyrojë Greqinë të dalë nga Eurozona, një zhvillim që do të trondiste edhe tregjet financiare, madje edhe ekonominë globale.

Merkel, e cila pritet të takojë Tsiprasin, së bashku me Presidentin francez, Francois Hollande, gjatë së mërkurës, theksoi dëshirën e saj për qëndrimin e Greqisë si pjesë e bllokut të monedhës së përbashkët. Por, teksa foli pas samitit të 7 kombeve më të industrializuara, G7, në Gjermani, ajo u shpre se “nuk ka mbetur edhe shumë kohë. Të gjithë po punojnë intensivisht”.

Presidenti amerikan, Barack Obama, pas takimit në alpet bavareze, u shpreh se Greqia duhet të bëjë “disa zgjedhje të vështira politike” dhe se të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet.

Hollande nënvizoi faktin se arritja e një marrëveshjeje në momentet e fundit, mund ta rrëzojë atë poshtë shumë shpejt. Tsipras ka bërë thirrje për bisedime politike me bazë të gjerë, por Hollande e bëri të qartë se BE është më shumë e interesuar për detajet e asaj që do të premtojë ai.

“Ne duhet medoemos të kemi në orët apo ditët në vijim bisedime teknike për të sheshuar pozicionet tona dhe për të zëvendësuar propozimet e papranueshme nga Greqia me masa alternative”, tha Hollande pas takimit të G7-s.

Ndërkaq, negociatorët grekë kanë qenë duke zhvilluar bisedime në Bruksel me Komisionerin e BE-së për çështjet ekonomike, Pierre Moscovici.

Top Channel