Becchetti, në kërkim për pastrim parash; transferta të dyshimta në miliona euro

08/06/2015 00:00

Gjykata e Tiranës nxori katër urdhër-arreste nën akuzën e “pastrimit të produkteve të veprave penale”, “pastrimit të parave” dhe “shpërdorimit të detyrës”, mes të cilëve edhe biznesmenin italian Francesco Becchetti.

Në pranga kanë përfunduar dy persona, një ish-drejtore e një filiali banke në Tiranë, Pranvera Gjika dhe një shtetase tjetër, Erjona Troplini, pjesëtare e grupit “BEG”, ndërsa sipas policisë, vetë biznesmeni Becchetti dhe një shtetas tjetër italian, Mauro De Renzis janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ishin larguar nga vendi pak kohë më parë.

Gjithçka ka nisur pas një hetimi të gjatë të policisë, dosja e të cilës më pas i është kaluar prokurorisë. Kjo e fundit, në njoftimin e nxjerrë mbrëmjen e së hënës lajmëroi se Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar, pas lejes së dhënë nga gjykata, 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”, shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”, si dhe bllokoi llogari bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga shtetasit Francesco Beccheti, Liliana Condomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigante pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro.

Prokuroria e Tiranës konsideron si organizator të skemës shtetasin italian Francesco Beccheti, i cili, në bashkëpunim me nënën e tij, shtetasen Liliana Condomitti, kanë qenë të përfshirë në një marrëdhënie financiare koncensionar-kontraktor për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Shqipëri.

Sipas hetimit, koncensionari “KEG”, i kontrolluar në shumicë aksionesh nga një kompani e Francesco Becchetit, ka kontraktuar për punime kompaninë “Energji”, e kontrolluar në mënyrë absolute nga nëna e tij, Liliana Condomitti.

Nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi i Prokurorisë, këta dy shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro, të cilat më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre, në bashkëpunim edhe me shtetasit Mauro de Renzis dhe shtetasen Erjona Troplini Ndërsa një pjesë të parave të përfituara nga manovrat financiare i kanë depozituar në disa banka.

Po ashtu, rezulton se kompania “Energji”, për të ardhurat që ka përfituar, duhet të paguante detyrimet tatimore. Sipas kontrollit nga Dega e Tatim-Paguesve të Mëdhenj, rezulton se “Energji” duhet t’i paguante shtetit një shumë prej rreth 770 milionë lekë detyrime tatimore, të cilat nuk janë paguar.

Për të gjitha transfertat, të cilat arrijnë në miliona euro, janë lejuar në mënyrë të kundërligjshme nga shtetasja Pranvera Gjika, drejtuese në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, e arrestuar tashmë nga policia.

Policia ka zbatuar kërkesën e gjykatës për arrestimin e dy shtetaseve shqiptare, ka bërë menjëherë edhe kërkesën drejt Italisë për arrestimin e Becchetti-t dhe të ndihmësit të tij, duke bërë njëkohësisht shpalljen e tyre në kërkim ndërkombëtar.

Top Channel