Çollaku në Lituani, takon kryediplomatin lituan

08/06/2015 00:00

Ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku, është pritur të hënën në takim nga ministri i Punëve të Jashtme i Lituanisë, Linas Linkevicius, i cili rikonfirmoi mbështetjen e Lituanisë në avancimin e agjendës europiane të Kosovës.

Ministri Çollaku e ka njoftuar ministrin Linkevicius me progresin e shënuar në fushën e integrimit europian, e në veçanti në adresimin e dy prioriteteve për këtë vit, që janë liberalizimi i vizave dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Ministri Çollaku shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe qëndrimin e palëkundur, kur dihet që negociatat për MSA-në kanë nisur pikërisht gjatë presidencës lituane të Bashkimit Europian.

Të dy ministrat janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral, sidomos në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, shkëmbimeve studentore etj.

Gjatë vizitës në Vilnius, ministri Çollaku duke kujtuar pjesëtarin lituan të misionit të EULEX-it Audrius Senavicius, i vrarë në detyrë në pjesën veriore të Kosovës, përcolli edhe njëherë mesazhin e institucioneve dhe popullit të Kosovës, për dhimbjen që kanë bashkëndjerë me familjen dhe popullin lituan.

Top Channel