Basha: Nuk njohim asnjë rezultat me votë të vjedhur

08/06/2015 00:00

Asnjëherë më parë Lulzim Basha nuk ka qenë më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë për qëndrimin që Partia Demokratike do të mbajë pas zgjedhjeve, nëse ajo verifikon parregullsi.

Këtë e bëri disa orë pas takimit me zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, gjatë mitingut elektoral në Vaun e Dejës, ku kishte një mesazh për Edi Ramën dhe Ilir Metën.

“I kam paralajmëruar dhe i paralajmëroj sërish nuk do të gëzoni asnjë votë të manipuluar, asnjë votë të blerë, nuk njohim asnjë rezultat që nuk del nga vullneti i lirë i zgjedhësve shqiptarë. Opozita është në këmbë bashkë me miqtë tanë perëndimorë kemi vendosur tolerancë zero ndaj manipulimit dhe blerjes së votës, tolerancë zero dhe drejtësi deri në fund për autorët e tyre”, u shpreh kreu i opozitës.

Sipas Lulzim Bashës shqiptarët nuk kanë pse vuajnë më gjatë dështimin e një qeverie që për rreth dy vjet rriti borxhin me mbi 700 milionë euro, rriti papunësinë me 7 përqind dhe vetëm në 5 muaj ka rritur evazionin fiskal dhe kontrabandën me 125 milionë dollarë.

“Kjo qeveri është bërë mina me sahat për ekonominë. Pse duhet të mbajmë një qeveri që po shkatërron ekonominë e vendit dhe familjes? A mund ta dalim në rrugën pa krye ku ka futur vendin? Përgjigja është po! Mund ta ndalim me votë”, tha Basha.

Që kjo të ndodhë, votat e demokratëve nuk janë të mjaftueshme, por Lulzim Basha këmbëngul se keqqeverisja nga njëra anë dhe programi i Partisë Demokratike për taksa të ulëta dhe punësim nga ana tjetër do të bindin abstenuesit dhe të majtët të votojnë për opozitën.

“Dyshja Rama-Meta nuk ka ofertë në këto zgjedhje. Ata janë dështimi, zhgënjimi popullor. Ata janë një aksident në rrugën e fatit tonë që duhet ta lëmë pas me votë dhe do ta lëmë pas me votë. Të ngrihemi me votë, të fitojmë me votë, kjo është thirrja e fushatës sonë, ky është himni që po bashkon shqiptarët në vendimin e tyre. Për të votuar PD për punë, dinjitet, rimëkëmbje zhvillim. Fitore”, tha kryetari i Partisë Demokratike.

Top Channel