Kosova në njësinë 7: Pas 21 Qershorit s’ka fjalë, vetëm punë

08/06/2015 00:00

Doktor Halim Kosova ka kërkuar votën e qytetarëve të Tiranës, duke i premtuar sinqeritetin dhe ndershmërinë e tij.

“Kjo është pasqyrë e entuziazmit që sot më shumë se kurrë do vlerësohet sinqeriteti dhe jo falsiteti dhe hipokrizia. Sot më shumë se kurrë do të vlerësohet njeriu i punës me rezultate konkrete në krahasim me parafabrikatet e prodhuara brenda partive politike”, tha Kosova. 

Doktor Kosova ka ftuar edhe socialistët të votojnë për të, duke u shprehur se do t’i përfaqësojë të gjitha shtresat. 

“Edhe socialistët e ndershëm do të gjejnë përfaqësim nga puna ime e përditshme. Ata kurrë nuk mund të gjejnë përfaqësim nga parafabrikate, të cilëve kryetari i partisë i jep një bluzë, i cakton një numër dhe i hedh për t’i përdorur si t’ja ketë qejfi më pas”, u shpreh kandidati i opozitës në kryeqytet. 

Në premtimin e tij për uljen e 30% të taksave, doktor Kosova tha se do të ndihmojë më shumë se 25 mijë biznese të rimëkëmben.

“E para, ulja e taksave në nivelin 30%, aq sa e lejon ligji. Unë nuk do të ndihmoj vetëm 25471 biznese të vegjël, por do t’i krijoj atyre mundësi që të hapin nga një vend pune, t’i ndihmojmë që të mbijetojnë”, tha Kosova. 

Top Channel