Çelet sezoni turistik në Divjakë

09/06/2015 00:00

Është çelur në Divjakë sezoni i ri turistik 2015. Të pranishëm në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Divjakës merrnin pjesë, deputeti i zonës Erjon Braçe, kreu i Bashkisë, Fredi Kokoneshi, si dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij, Kokoneshi bëri një rezyme të punëve të bëra në këtë zonë në fushën e turizmit dhe jo vetëm të 4 viteve që ai ka drejtuar bashkinë.

Mbas kësaj, Fredi Kokoneshi shpalosi projektet që do të zbatohen për këtë sezon turistik dhe  4 vjeçarin e ardhshëm në këtë zonë, e cila njihet si një nga perlat e Adriatikut.

Ai tha se në vazhdim të shëtitores nga ‘Divjaka në Pisha’ e më tej, do të ndërtohet pasarela dhe do të vendosin një guidë turistike me varka përgjatë lagunës, e cila ofron një pamje të mrekullueshme.

Ndërsa, deputeti Erjon Braçe tha: “Dy vite më parë, unë bashkë me kreun e bashkisë, ju thamë se po marrim përsipër të ndryshojmë Divjakën dhe natyrisht dy vite më pas kemi kënaqësi të gëzojmë bashkë me ju. Sot qyteti ka vepra publike mjaftë të rëndësishme, të cilat nuk ishin dy vite më parë, duke filluar nga uji, për herë të pare 24 orë, e për të vazhduar më tej me shëtitoren e re, e cila do të shoqërohet me dy shëtitore të tjera, njëra brenda në park dhe tjetra do të bashkohet me sheshin e ri të qytetit”.

Më pas Braçe ftoi të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen të vijnë në Divjakë. “Do të gjeni dyer të hapura dhe njerëz mikpritës, ku nuk do t’ju lejojnë të ikni pa u kënaqur”, tha deputeti.

Top Channel