Veton Surroi promovon librin “Miliarderi” në Beograd

09/06/2015 00:00

Në të njëjtën sallë ku para 17 vitesh ishte sulmuar edhe fizikisht, publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, ka promovuar librin e tij “Miliarderi” në Beograd, të botuar nga Samizdat i televizionit “B92”.

Në një rrëfim që i shërben edhe Serbisë, për Kosovën e viteve ’90, Surroi tha se ndjehet i lumtur që është botuar një libër i shkruar në gjuhën shqipe.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu pas kaq shumë vitesh dhe promovojmë një libër që është përkthyer nga gjuha që dikur këtu njihej si gjuhë e druprerësve dhe hamallëve”, tha Surroi.

Publiku serb e ka vlerësuar librin pozitivisht, por edhe rolin e tij politikë dhe promovimi ka shërbyer edhe si një kujtesë e tentimeve për paqe.

“Për ato që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve ’90, nuk po flas për ngjarjet e mëdha, por se si ka funksionuar shoqëria atje, ne në fakt nuk dimë asgjë”, u shpreh Teofil Pançiç, kritik letrar.

Libri i Surroit mbylli festivalin e kulturës kosovare “Mirëdita, Dobardan”.

Top Channel