ISIS, diktat në Mosul; kush nuk zbaton ligjin islamik ndëshkohet brutalisht

09/06/2015 00:00

Militantët e Shtetit Islamik kanë vendosur diktatin në qytetin e dytë më të madh të Irakut, Mosul, duke ushtruar pushtetin në jetën e përditshme të njerëzve.

Kështu tregojnë disa pamje të filmuara fshehurazi nga gazetari i BBC, Ghadi Sary. Në pamje shfaqen xhami të hedhura në herë, shkolla të braktisura dhe gra që detyrohen të mbulohen nga koka tek këmbët.

Banorët thonë se po jetojnë në frikën e ndëshkimit, sipas interpretimit të rreptë që ISIS i bën ligjit islamik. Ata flasin gjithashtu për përgatitjen e një ofensive të militantëve.

Rënia e Mosulit shënoi dhe fillimin e avancimit së Shtetit Islamik përtej veriut, që detyroi ushtrinë të tërhiqej dhe mijëra persona të lënë shtëpitë e tyre.

Videot, të filmuara disa muaj pas këtij avancimi, tregojnë realitetin e jetës së banorëve nën regjimin e ISIS.

“ISIS është shumë i rreptë sa i takon kodit të veshjes për gratë. Ato duhet të mbulohen komplet me të zeza, nga koka tek këmbët”, tregon një grua e identifikuar me emrin Hanaa.

Pamjet tregojnë gjithashtu se shtëpitë që u përkasin minoriteteve etnike të Mosulit janë konfiskuar nga Shteti Islamik. Shumë zona të banuara, dikur të populluara me minoritete, tashmë kanë mbetur të boshatisura.

Pamjet tregojnë gjithashtu objekte kulti të shkatërruara dhe banorët që flasin për ndëshkime brutale për këdo që kundërshton interpretimin xhihadist të ligjit islamik, që është imponuar nga Kalifati, krijimi i të cilit u shpall disa javë pas marrjes nën kontroll të Mosulit.

Top Channel