Rama: Reforma në drejtësi, operacion jetik për Shqipërinë

09/06/2015 00:00

Një ditë pas përmbylljes së punës një-mujore për reformën në drejtësi, ku ndërkombëtarët lëshuan mesazhe të forta për klasën politike, Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes rrjetit social, Facebook. Për kreun e ekzekutivit, reforma në drejtësi është një operacion jetik për Shqipërinë.

“Dje na u dha mundësia të njihemi me rezulatet tejet inkurajuese të punës disamujore të Komisionit të Reformës në Drejtësi; një punë e shkëlqyer, e bazuar tërësisht në kontributin e ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, pa asnjë anësi apo ndikim politik.

Për herë të parë në 25 vjet kemi një kantier të vërtetë reforme rrënjësore në sistemin e kalbur të drejtësise, i cili pa asnjë dyshim, është edhe më i degraduar se sa sistemi i energjisë ku tanimë jemi kthyer përfundimisht në drejtimin e duhur. Me të njëjtin vullnet të hekurt do të imponojmë kthesën edhe për drejtësinë, ku duhet shkulur tumori më i madh i kancerit të korrupsionit e të keqqeverisjes së shumë viteve të shkuara.

Diagnoza voluminoze që na ka vënë në dispozicion ekspertiza e lartë e siguruar nga Komisioni i Reformës në Drejtësi, na jep mundësinë historike të realizojmë kthesën e madhe, duke e mbështetur me vullnetin më të fortë politik punën e mëtejshme të ekspertëve dhe duke miratuar brenda vjeshtës së ardhshme në Kuvend të gjithë bazën ligjore të propozuar prej tyre për këtë operacion jetik për Shqipërinë.

Me mirënjohje e konsideratë të lartë për punën e madhe cilësore të ekspertëve dhe me inkurajimin që Komisioni i Reformës në Drejtësi ta çojë përpara, me të njëjtën largpamësi e vendosmëri punën kolosale që ka nisur, dua të ndaj me qytetarët bindjen se, falë kësaj pune ne do t’ia dalim përmbysjes së sistemit të degjeneruar të një drejtësie që për kaq shumë vite na ka marrë frymën dhe fytyrën si shtet”, shkruan Rama në profilin e tij, në Facebook.

Top Channel