Elbasan, blic i uniformave blu gjatë orëve të natës

09/06/2015 00:00

Strukturat e Policisë së Qarkut të Elbasanit, gjatë 24-orëve të fundit kanë bërë kapjen, arrestimin dhe ndalimin e disa shtetasve të akuzuar për vepra penale të ndryshme.

Konkretisht, specialistët për krimin ekonomik dhe financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Armand Shehaj, vjeç 39 dhe banues në Tiranë.

Personi në fjalë u vu në pranga, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip “Golf”, me targë “AA376EX” iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 33 steka paketash pa pullë fiskale.

Ndërkohë, në aksione të tjera blutë e qytetit të Elbasanit, përmes bashkëpunimit me prokurorinë e rrethit, kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 5 persona të tjerë, të akuzuar për posedim narkotikësh, falsifikim dokumentesh dhe ushtrim dhune ndaj të tjerëve.

Ndërkohë, prokuroria ka urdhëruar marrjen në mbrojtje të shtetases me iniciale B.P., 25 vjeç, pasi bashkëshorti ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Top Channel