Rrjeti elektrik Paskuqan-Babrru, OSHEE nis investimin prej 16 milionë USD

09/06/2015 00:00

OSHEE ka filluar investimin prej 16 milionë dollarësh për rrjetin elektrik Paskuqan-Babrru. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, dhe drejtori i OSHEE-së, Ardian Çela ishin të pranishëm në inspektimin e fillimit të punimeve për rrjetin e tensionit të mesëm, 20 kV.

Për ministrin Gjiknuri, këto investime janë rezultat i rikthimit të ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike dhe vënies së rregullit në pagesën e faturave nga ana e konsumatorëve.

“Për qytetarët, do të thotë përmirësim të cilësisë së shërbimit, energji e pandërprerë dhe një rrjet bashkëkohor. Mesazhi është i qartë: paratë që kanë paguar qytetarët, të gjitha kontributet pozitive po fillojnë e po kthehen në investime që do të thotë energji më e sigurtë për ta. Qeveria do t’i ketë me prioritet këto zona dhe OSHEE, për shkak të performancës më të mirë, po fillon të investojë aty ku duhet. Kamza do të jetë ndër bashkitë e para që do të prekë këto investime që nuk janë parë deri tani në rrjetin energjitik”, tha Gjiknuri.

Fiderat aktualë që furnizojnë Paskuqanin dhe Babrrunë rezultojnë me humbje në vlera shumë të mëdha, që arrijnë në 56%. Një vit më parë, humbjet shkonin në 65%. Periudha e kryerjes së investimit do të jetë 6-8 muaj dhe pritet të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji për rreth 16 mijë abonentë, familjarë dhe biznese.

Top Channel