”AmCham” merr në pyetje kandidatët e Tiranës për projektet ekonomike

09/06/2015 00:00

Halim Kosova dhe Erion Veliaj u takuan për herë të parë me njëri-tjetrin, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga fundi i fushatës elektorale, gjatë së cilës mungoi një përballje e drejtpërdrejtë e kandidatëve të opozitës e mazhorancës për Tiranën.

Në takimin e organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, ku kandidatët që garojnë për bashkinë më të madhe në vend shpalosën alternativat e tyre ekonomike, doktor Kosova dhe zoti Veliaj shtrënguan duart, pas ngacmimeve dhe batutave të lëshuara herë pas here në distancë.

“A erdhi Erioni, që t’i jap disa këshilla për intervistën, se kjo nuk funksionon dhe aq mirë. Ja se do t’i them disa sekrete”, shprehet Kosova.

Kandidatët iu përgjigjën 6 pyetjeve të njëjta, duke filluar me strategjinë që do të ndjekë gjithsecili, për punësimin e qytetarëve të Tiranës.

“Kemi provuar se kur biznesi incentivohet me pagesë ‘cash’ për 12 muaj sigurime shoqërore, për 4 paga bazë, ka interes që të shtojë punësimin. Kjo është një traditë që duam ta vazhdojmë edhe në Bashkinë e Tiranës. Duam gjithashtu që të adoptojmë në nivel lokal një strategji që po funksionon për qeverinë në nivel kombëtar, që është Këshilli Ekonomik Kombëtar. Ne duhet të kemi një Këshill Ekonomik të Tiranës”, deklaroi Erion Veliaj.

“Atë fond, ne kemi premtuar dhe kemi bërë llogaritë që do ta çojmë në 15 milionë euro gjatë mandatim tim, në mënyrë që ky fond garancie të përdoret për atë që ka një ide, një projekt, duke mos qenë e nevojshme të vendosë kolaterale për të marrë këtë lloj kredie në bankë. Do të jetë Bashkia e Tiranës, ajo që do të garantojë këtë lloj kolaterali”, u shpreh Halim Kosova.

Partneriteti publik-privat ishte një tjetër çështje në fokusin e bizneseve të Dhomës Amerikane.

“E para duhet të jetë një fizibilitet i përllogaritur tashmë nga Bashkia e Tiranës, në shumën prej 23,7 milionë euro për landfillin e Sharrës. Gjithashtu, një shembull shumë i mirë për këtë, në këtë drejtim, është edhe terminali multimodal”, deklaroi më tej Halim Kosova.

“Disa fusha, ku unë shoh potencial për të pasur partneritet publik-privat, janë parkimet. Është e vërtetë që ne do të respektojmë moratoriumin e qeverisë për të ndaluar ndërtimet për së larti, por do të shohim me prioritet ata që duan ta zhvillojnë pronën e tyre për së poshtmi, pra për parkime nëntokësore. Besoj shumë që në fushën e grumbullimit të produkteve bujqësore kemi një mundësi”, tha kandidati i majtë, Erion Veliaj.

Referuar çështjes së taksave, dy kandidatët ndanë këndvështrimin e tyre, të kundërt me njëri-tjetrin.

“Duke ulur taksat me 30%, që Bashkia e Tiranës ka në dorë, është përllogaritur që edhe atyre bizneseve që kanë falimentuar, 3774 vetëm në vitin 2014, ne do t’u japim një dorë për t’u rimëkëmbur. Pse jo, edhe atyre që kanë ekzistuar t’u japim mundësi për të hapur vende të reja pune”, u shpreh kandidati i djathtë, Halim Kosova.

“Parafolësi dhe kryetari i Partisë Demokratike e menaxhojnë tani Bashkinë, mund t’i ulin që tani taksat. Por dihet përse nuk i ulin, sepse tashmë janë shumë keq me realizimin e të ardhurave. Më rezulton që qytetarët nuk ankohen për nivel të lartë taksash, për 450 lekshin e pastrimit, por ankohen për padrejtësinë, pra që disa njerëz paguajnë dhe disa jo. Sigurisht jam i majtë dhe besoj te taksimi progresiv. Besoj se një njeri që jeton në Shkozë apo në Kombinat, nuk mund të ketë të njëjtën tarifë për taksën e pronës, si dikush që jeton në bllok”, u përgjigj Erion Veliaj.

Në takim mungoi kandidati i Pavarur, Gjergj Bojaxhi. Kandidati tjetër i Pavarur, Sazan Guri, nuk shmangu dot përqëndrimin e madh te çështjet, që ai i njeh mirë, ato të ambientit, duke premtuar lehtësi fiskale për bizneset, që janë miqësorë me mjedisin. I fundit në sesionin e pyetje-përgjigjeve ishte Arben Tafaj, i cili deklaroi se Bashkia duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje nxitjes së punësimit, përmes prodhimit dhe mbledhjes së taksave.

Top Channel