Basha, në Vorë e Paskuqan: 21 qershori, mësim për dyshen Rama-Meta

09/06/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi elektoral në Vorë, ka deklaruar se qeveria aktuale i ka bërë llogaritë pa popullin dhe se për këtë arsye, më 21 Qershor, mazhoranca do të marrë ndëshkimin me votë.

“Premtuan 300 mijë vende pune e në fakt mbyllën mijëra vende pune, premtuan ulje të çmimit të energjisë por e rritën atë, premtuan ulje taksash por i rritën ato, premtuan ulje të çmimit të naftës por e rritën atë”- tha Basha.

Për kreun e demokratëve, “21 qershori është dita e llogarive për të vendosur me votë një mësim ndaj pushtetarëve që mashtruan e gënjyen”.

“Detyra jonë është t’u ofrojmë shqiptarëve rrugën e daljes, të shpëtimit, rrugët e zgjidhjes të këtyre problemeve përmes uljes së taksave kombëtare në nivelin më të ulët në Ballkan, ulja me 25% e çmimit të energjisë, falja e kamatë-vonesave, rritja e rrogave e pensioneve, rifutja në listën e ndihmës ekonomike të çdo familje, të hequr me të padrejtë dhe çdokujt tjetër që e meriton, krijimi i kushteve për blegtorinë e bujqësinë dhe sipërmarrjen në tërësi që të ndihet e sigurt”- tha nga Vora Lulzim Basha.

Pas Vorës, Basha u ndal në Paskuqan, ku tha se  po vidhen paratë e shqiptarëve me tendera korruptivë, pa minimumin e transparencës.

“135 milionë dollarë i mungojnë arkës së shtetit. Banda e doganave dhe Tatimeve, në bashkëpunim me dyshen Rama-Meta dhe klientelën e tyre jo vetëm që fusin duart thellë në xhepat tanë, në xhepat tuaj por asnjë qindarkë nuk e kthejnë në punë, punësim dhe në investime për ju. Projekte luksi po, me fatura korrupsioni, projekte ku një palmë kushton sa një pyll por asgjë të pritshme për ju, asnjë vend të ri pune për ju, asnjë ulje taksash për ju, asnjë respekt, asnjë ndjeshmëri  për dhimbjen tuaj”- deklaroi Basha.

Top Channel