Obama: Lufta kundër ISIS-it, pa strategji të plotë

09/06/2015 00:00

Barack Obama e pranoi një ditë më parë se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që lufton kundër militantëve të Shtetit Islamik është pa një “strategji të plotë”.

Por, pengesa kryesore për këtë, sipas presidentit amerikan, është numri i pamjaftueshëm i forcave të sigurisë të rekrutuara në Irak.

“Nuk e kemi ende një strategji të plotë sepse kjo kërkon angazhim nga ana e irakianëve. Të gjitha vendet në koalicionin ndërkombëtar janë të gatshme të bëjnë më shumë për të trajnuar forcat e tyre të sigurisë”, tha Obama.

Shtimi i fuqisë luftarake të trupave irakiane nuk ka qenë një sfidë e lehtë për Shtetet e Bashkuara që mbështetën shumë tek forcat lokale për zmbrapsjen e terroristëve të ISIS-t, në duart e të cilëve janë sot qytete të rëndësishme si Ramadi e Mosuli. Pas rrethimit të Ramadit muajin e kaluar nga Shteti Islamik, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, fajësoi mungesën e vullnetit të ushtrisë irakiane për t’i bërë ballë militantëve.

Që prej atëherë, me betejën kundër ISIS-it në zonë janë bashkuar edhe luftëtarë sunitë të zonës si dhe paraushtarake shiite. Situata në Irak është kthyer ndër të tjera edhe në një çështje politike me peshë në përgatitjet për zgjedhjet presidenciale. Aspirantët për t’u bërë pjesë e garës së 2016-s në kampin republikan, janë përpjekur të shfaqen më të vendosur në politikën e jashtme sesa presidenti aktual, duke ndjekur kështu linjën e kryetarit të Komitetit të Shërbimit të Armatosur në Senat, John McCain.

Dikush mund të pyesë veten dhe bën mirë ta pyesë, tha ai në Kongres, nëse ky president thjesht kërkon të rrijë e të bëjë sehir përgjatë një viti e gjysmë në vazhdim dhe praktikisht të mos lëvizë as gishtin për të ndaluar genocidin, gjakderdhjen, e të gjitha gjërat e tmerrshme që po ndodhin anembanë Lindjes së Mesme.

Top Channel