Kosova: Bashki transparente. Besojini njerëzve që kanë dhënë prova

09/06/2015 00:00

Doktor Halim Kosova, takimin e radhës e zhvilloi në Tufinë, ku u shpjegoi banorëve projektet e tij për të përmirësuar jetesën. Kosova foli edhe për parimet e qeverisjes, si transparenca e mbikëqyrja.

“Kam hasur probleme, kam shtrënguar duar, që të dyja palët do mbikëqyrim çdo lloj pune që bashkia do bëjë, çdo lloj projekti që do jetë për ju. Secili nga ne do bëjë që të gjitha fondet, të gjitha projektet që do nisen nga Bashkia e Tiranës në drejtimin tuaj, të mos bëhen sebep për të prodhuar ndonjë shtëpi apo vilë rrugës, por të gjitha të vijnë 100% aty ku ju keni nevojë. Dhe kush më pengon mua për t’i ndjekur hap pas hapi, bashkë me ju, që ato lekë erdhën tek ju, apo jo?”, u shpreh Kosova.

Doktor Kosova tha se do të jetë rigoroz dhe nuk do të tolerojë shkeljen e kontratave dhe afateve.

“Kush nuk zbaton afatet, kokërr leku nuk ka për të marrë nga unë. Ka ardhur koha, më shumë se kurdoherë tjetër, që banorët e Tiranës të vlerësojnë nejriun e sprovuar, njeriun me provë, njeriun e ndershëm dhe jo njeriun partiak të falsifikuar, të parafabrikuar dhe që i jepet qytetarëve jo për t’u shërbyer atyre”, tha Kosova.

Kandidati i së djathtës për Tiranën tha se do të krijojë lehtësira për biznesin. “Ju e keni parë se çfarë të mirash mund të prodhojë biznesi nëqoftëse fryma karshi tij është miqësore ose e kundërta sa vështirësi mund t’’i krijohet biznesit kur ai penalizohet, i shtohet elektriku, i shtohen taksat, i merret fryma dita ditës, derisa njerëzit pastaj marrin valixhet dhe thonë këtu s’bëhet gjë dhe marrin rrugët e mërgimit pa ndonjë ide të qartë”, shtoi Kosova.

Top Channel