“A e kupton Hahn krizën në Maqedoni?”. Me këtë titull në Euobserver, ish-diplomati Nikolla Dimitrov dhe ish-ambasadori evropian në Shkup, Ervan Fuere kanë kritikuar deklaratat kontroverse të komisionerit Johanes Hahn lidhur me zgjedhjet dhe krizën në Maqedoni.

Në këtë shkrim thuhet se, nuk është hera e parë që Hahn jep deklarata kontroverse. Më 15 shkurt, ai vuri në pikëpyetje shkeljet e lirisë së shtypit në Serbi. Me deklarata të tilla, Hahn le përshtypjen e një komisioneri i cili nuk ka kontakt me realitetin.

“Komisioneri, më shumë se njerëzit e tjerë, duhet ta dijë se çështja e ambientit mediatik, financimi i partive politike, aftësia e tyre të bëjnë fushatë pa ushtruar trysni, si dhe shfrytëzimi i mjeteve shtetërore nga partia në pushtet, gjithashtu janë pjesë e standardeve vlerësuese demokratike”, thuhet në shkrimin e përbashkët të Fuere dhe Dimitrov.

Marrëveshja e 2 qershorit, e arritur me ndërmjetësimin e BE-së, thotë se zgjedhjet duhet të mbahen pas 10 muajve, pasi të jenë kryer reformat, ku bënë pjesë edhe pastrimi i listës zgjedhore.

Por, në Maqedoni duhet bërë më shumë, duhet të dekontaminohet i tërë sistemi politik, gjë për të cilën nevojitet kohë, shkruajnë Dimitrov dhe Fuere.

Opsioni për qeveri kalimtare me disa ministri për opozitën, por nën kontrollin e Gruvskit dhe partisë së tij është sikurse lëvizja e karrikeve të anijes që fundoset.

“Qeveria kalimtare duhet të kyçë njerëz jashtë atyre dy blloqeve dhe kurrësesi nuk duhet të kyçë funksionarë që janë të përfshirë në skandalin e përgjimeve”, thuhet në shkrimin e Euobserver.

Top Channel