Kosovë-FMN, marrëveshje prej 185 mln eurosh për bujqësinë, arsimin dhe shëndetësinë

09/06/2015 00:00

Pas dhjetë ditë diskutimesh është arritur marrëveshje mes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Ministrisë së Financave  me vlerë 185 milionë euro. Në kuadër të një program 22-mujor, këto fonde do të ndahen në sektorë të ndryshëm në Kosovë, përfshirë bujqësinë, arsimin, shëndetësinë e të tjerë.

“Kemi dizajnuar një program që në pika të përgjithshme adreson nevojat tona, ndoshta çështja madhore pranë këtij programi është pajtimi që ne kemi arritur për të ndryshuar rregullën fiskale sa i përket deficitit buxhetor, normalisht duke e mbajtur këtë rregull fiskale për shpenzimet e rregullta buxhetore por duke lejuar që përtej kësaj rregulle fiskale, ne si vend i ri me një ekonomi në zhvillim me plot nevoja të hyjmë në marrëveshjen ndërkombëtare për të financuar projekte zhvillimore që i nevojiten Kosovës”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave.

Ministri Hoti po ashtu tha se për shkak se borxhi publik i Kosovës është i ulët,  kjo i jep hapësirë për kredi ndërkombëtare duke mundësuar kështu zbatimin e plotë të projekteve të Qeverisë së Kosovës.

“Kemi arritur të finalizojmë suksesshëm negociatat për një program të ri me FMN-në. Ky program pritet të kalojë në faza të tjera të aprovimit në instancat e FMN-së. Sektori bankar është mirë i kapitalizuar, është likuid me trende pozitive të zhvillimit kemi rritje të aseteve, rritje të depozitave. Rritje të kreditimit, kemi zvogëlim të normave të interesit”, theksoi Bedri Hamza, Guvernator i Bankës Qendrore.

“Është rritje ekonomike që ka qenë më e qëndrueshmedhe më e lartë se në vendet tjera fqinje dhe të krijohen kështu kushte për një rritje më të madhe dhe më të shpejtë në mënyrë që Kosova t’i rrisë të ardhurat e veta deri në stadartet e ekonomisë rajonale dhe të krijojë vende të punës për të cilat ka nevojë”, tha Jacques Miniane, udhëheqës i Misionit të FMN-së.

FMN dhe Ministria e Financave po ashtu janë pajtuar që të rishikohet buxheti i vitit 2015 dhe buxheti preliminar i vitit 2016, që mundëson vazhdimin e projekteve të cilat kanë nisur më herët.

Top Channel