Fizikisht në klasë, po mendërisht në celular

09/06/2015 00:00

Janë fizikisht të pranishëm, por mendërisht, tepër të zënë me celularët e tyre; është e pamundur thonë studiuesit amerikanë, që nxënësit të arrijnë të asimilojnë informacion nga ajo çfarë janë duke studiuar dhe në të njëjtën kohë, të merren me telefonin.

Nuk është thjesht supozim, është e provuar me kërkime e subjekte konkrete se ata që dërgonin e merrnin mesazhe në celular gjatë studimit, në provime, kanë pasur rezultatet më të ulëta nga të gjithë të tjerët. Efikasiteti i tyre po ashtu për detyra qoftë edhe fare elementare siç është marrja e shënimeve, është absolutisht më i vogël. Studimi i akademikëve të universitetit të Ohios, atij shtetëror të Ilinoisit dhe Nebraskës, merr në shqyrtim ndikimin që ka mbi një gjeneratë të tërë “shkruesish të etur të mesazheve” hutimi prej celularit dhe internetit.

Kur 145 subjektet e tij nuk i përdoren dot telefonët celularë, atëherë aftësia e tyre për të thithur informacion rezultoi shumë më e madhe. Me telefonat e levizsshëm tanimë në dispozicionin e thuajse të gjithëve, problemi i humbjes së vëmendjes me shumë gjasë do të vazhdojë të përbëjë një pengesë serioze, është përfundimi në të cilin dalin nismëtarët e këtij vëzhgimi, Jeffrey Kuznekoff, Stevie Munz dhe Scott Titsworth.

Ekzaminimet treguan gjithashtu se përmbajtja e mesazhit ishte dhe ajo faktor në nivelin e shpërqëndrimit, pasi sms-të me informacione të parëndësishme, ndikimin tek vëmendja e nxënësit e kishin më të vogël.

Top Channel