LSI, spot sensibilizues për mbrojtjen e votës, Meta: Qëllimi kryesor, realizimi i standardeve

09/06/2015 00:00

Kreu i LSI-së Ilir Meta u është përgjigjur akuzave të opozitës për blerje votash, në një dalje për mediat, kur tha se pretendimet e opozitës janë alternativa “shpif e shaj”. “Ne jemi për standarde ligjore, për të denoncuar jo vetëm fenomenin, por edhe persona konkretë”, tha Meta.

“Lidhur me pretendimet e opozitës mendoj se alternativa ‘shpif e shaj’, ose ‘shaj e shpif’, as nuk besohet. Ne jemi për standarde ligjore, për të denoncuar jo vetëm fenomenin, po dhe persona konkretë, dhe për t’i denoncuar para organeve ligjzbatues. Përpjekjet për të dëmtuar imazhin e zgjedhjeve, për të shpifur e inskenuar gjithëfarë incidentesh, janë çështje që përsëri do të gjykohen me votë më 21 Qershor. Bojkoti është shumë i dëmshëm për vetë opozitën, në radhë të parë, por edhe për demokracinë”, tha Meta.

Qëllimi kryesor i LSI-së, sipas Metës, është realizimi i standardeve më të larta europiane në zgjedhjet e 21 Qershorit.

“Qëllimi kryesor është realizimi me standardet më të larta europiane të zgjedhjeve të 21 Qershorit. Për ne nuk është e rëndësishme nëse do të marrim disa bashki më shumë apo më pak, nëse do të dalim në proporcional disa përqind më shumë apo më pak. Jam shprehur që ne i shohim si zgjedhje administrative, vendore. Rëndësia e madhe e jashtëzakonshme e këtyre zgjedhjve për ne lidhet vetëm me një fakt, që më 21 Qershor populli shqiptar nuk do të votojë vetëm për kryetarët e bashkive, dhe për këshilltarët, por do të votojë për të nisur jetësimin e një reforme madhore, siç është ajo administratitvo-terrioriale, që do të japë impakt të jashtëzakonshëm”, theksoi kreu i LSI-së.

Lëvizja Socialiste për Integrim publikoi edhe një spot, përmes të cilit sensibilizon qytetarët shqiptarë të mbrojnë votën e tyre ndaj çdo tentative për blerje.

Top Channel