Raporti për Racizmin dhe Intolerancën. Ekspertja e KiE: Politikanët shqiptarë përdorin gjuhë urrejtjeje

09/06/2015 00:00

Komisioni Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), i themeluar nga Këshilli i Europës, ka publikuar raportin e pestë monitorues për Shqipërinë, ku kalohen në skaner problemet që lidhen me gjendjen e racizmit dhe intolerancës.

Raporti vëren se, krahas progresit që ka bërë Shqipëria, ka disa mangësi në ligjin penal lidhur me mbrojtjen kundër racizmit dhe homo/transfobisë. “Në praktikë, viktimat nga diskriminimi nuk kanë akses në ndihmë juridike falas”, theksohet në raport.
 
Nadejda Hriptievschi, eksperte e Komisionit Europian Kundër Racizmit dhe Intolerancës, bashkautore e këtij raporti, në një intervistë telefonike për Top-Channel thotë se, Shqipëria ka bërë progres pozitiv, sidomos me Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i miratuar në vitin 2010.
 
Ndërkohë, ekpertja e Komisionit Europian e konsideron shqetësuese retorikën e përdorur nga politikanët shqiptarë.
 
Ky është raporti i pestë për Shqipërinë. A ka ndonjë progres krahasuar me raportet e mëparshme?

Po, patjetër! Ka progres pozitiv, sidomos me Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i miratuar në vitin 2010. Ju tashmë keni në vend edhe Komisionerin kundër Diskriminimit. Këto janë instrumentë shumë të rëndësishëm për të parandaluar dhe luftuar diskriminimin në Shqipëri. ECRI e ka vënë në dukje këtë si një progres të rëndësishëm. Ju keni bërë edhe shumë ndryshime në Kodin Penal. Veçanërisht, është përmendur si një progres i mirë fakti që tashmë personat LGBT kanë mbrojtje. Ju keni dispozita në Kodin Penal në mbrojtje të personave me orientim të ndryshëm seksual. Kodi i Etikës, i miratuar nga qeveria, është një tjetër progres i mirë dhe rekomandohet që zyrtarët e lartë publikë të veprojnë në përputhje me këtë kod. Gjithashtu, plani kombëtar i veprimit 2010 për përfshirjen e romëve, i cili përfshin edhe popullsinë egjiptiane, ishte gjithashtu një hap i mirë përpara. Sigurisht, ka ende shumë për të bërë, por është vënë re edhe progres.
 
Paqyra e përshkruar në raport në lidhje me luftën kundër racizmit dhe intolerancës në Shqipëri është pothuajse bardhë e zi. Cilat janë aspektet pozitive dhe ato negative?

Një aspekt pozitiv dhe një nga faktet e rëndësishme që ndihmojnë shoqërinë shqiptare është se vendi ka arritur të sigurojë një nivel mirëkuptimi ndërmjet grupeve të ndryshme dhe kjo është pozitive. Nuk duket se ka probleme të mëdha mirëkuptimi, sikurse vihen re në vende të tjera. Një tjetër aspekt pozitiv; është mjaft e qartë se autoritetet janë të gatshëm për të bërë ndryshime dhe, të paktën në nivel legjislativ, ka pasur disa të tilla. Megjithatë, ka ende shumë çështje që duhet të trajtohen dhe të përmirësohen. Përshembull, nëse ne flasim për nivele të ndryshme: në nivelin legjislativ, ligji për parandalimin e diskriminimit nuk është aplikuar nga gjykatat, në veçanti në lidhje me barrën e provës dhe kjo është shumë e rëndësishme për të siguruar mbrojtje efektive nga diskriminimi. Po ashtu, kemi vërejtur se viktimat e diskriminimit nuk kanë qasje reale në ndihmë juridike. Kjo i lë ligjet praktikisht vetëm në letër dhe duhet të ndërmerren hapa të rëndësishëm për të përmirësuar këtë gjë. Rreth incidenteve me gjuhën e urrejtjes të përdorur nga politikanë të nivelit të lartë: ne e kuptojmë se kjo është një tendencë, për fat të keq, dhe kjo është vënë re në vende të ndryshme, por është shumë e rëndësishme që autoritetet ta trajtojnë këtë çështje, veçanërisht politikanët, të cilët duhet të japin një shembull për popullatën. Kemi vënë re se autoritetet përkatëse kanë ndërmarrë disa hapa, por kjo nuk është e mjaftueshme dhe nevojitet një përgjigje e shpejtë për çdo incident të gjuhës së urrejtjes, në mënyrë që të mos ketë përshkallëzim.

Sipas jush, cila është çështja kryesore shqetësuese për Shqipërinë që ka lidhje me të drejtat e njeriut?

Shqetësimi kryesor mbetet zbatimi i ligjeve dhe mospërfillja ndaj planit të veprimit që Shqipëria ka hartuar për popullsinë rome, e që duken të mos jenë zbatuar plotësisht. Është bërë shumë progres dhe ne kemi vërejtur sidomos një rënie të ndërprerjes së shkollës dhe përmirësim në lidhje me regjistrimin civil. Nga ana tjetër, ka mjaft probleme me regjistrimin e banesave dhe dëbimin me forcë prejt tyre.
 
A është e drejtë të thuhet se Shqipëria është duke prodhuar ligje të bukura në letër, por kur vjen puna për t’i zbatuar ato nuk bëhet gjë, apo jo?

Le të themi jo tamam kështu. Edhe në legjislacion ka vend për përmirësim, siç përmenda më lart barrën e provës dhe se si është shprehur në legjislacion, si dhe disa aspekte të tjera që ju do t’i gjeni në raport. Përsa i përket zbatimit, ka pak, por jo mjaftueshmëm. Të dhëna të plota (gjithëpërfshirëse) dhe fonde të mjaftueshme për zbatimin e ligjit dhe rezultatet e tij duket se është ajo që mungon.

Top Channel