Skema e mashtrimit, sipas prokurorisë: Becchetti, fatura fiktive dhe vjedhje me rimbursimin e TVSH-së

09/06/2015 00:00

Top Channel zbardh argumentat e Prokurorisë që është ngritur akuza, në bazë të të cilave gjykata ka vendosur masën e sigurisë për presidentin e Agon Channel, Francesco Becchetti dhe disa shtetas të tjerë italianë dhe shqiptarë, të dyshuar si të përfshirë në pastrim parash dhe evazion fiskal.

Në dokument grupi hetimor thotë se, “ka provuar skemën përmes të cilës biznesmeni italian ka kryer rreth 770 milionë lekë evazion në dëm të shtetit”. Sipas tyre, “në qendër të kësaj skeme evazioni, por njëkohësisht edhe pastrimi parash qëndron hidrocentrali i Kalivaçit dhe dy shoqëri të zotëruara nga Becchetti, koncesionarja “KGE” dhe ajo “Energji”.

Por si ka funksionuar skema?

Prokurorët thonë se kompania “Energji” ka blerë punime nga nënkontrakorë privatë për ndërtimin e hidrocentralit. Më pas këto punime ja ka shitur shoqërisë tjetër të Becchetti-t të quajtur KGE, por me çmime dhe sasi të fryra në mënyrë artificiale. Sipas dokumentave, përgjatë periudhës 2007-2013, “Energji” ka blerë në total 14.5 milionë euro punime nga nënkontraktorët privatë, por ja ka shitur ato shoqërisë “KGE” me vlerë dy herë më të lartë, ose 28.6 milionë euro.

Përmes kësaj skemë, Prokuroria thotë se, “kompania ka rritur në mënyrë fiktive kreditimin e TVSH-së dhe vetëm në vitin 2009 ka kërkuar rimbursim për 45 milionë lekë TVSH duke mashtruar shtetin”. Kjo skemë është përsëritur vit pas viti dhe prokurorët e kanë ilustruar atë me shifrat përkatëse për çdo vit, që nga viti 2007.

Paralelisht, sipas grupit hetimor, një tjetër fakt i provuar që përfshin Becchetti-n dhe kompanitë e tij në mashtrim financiar, është ai i ndërtimit të digës së hidrocentralit. Sipas prokurorëve, kompania ka dorëzuar dokumenta sikur ka ndërtuar një digë në vlerën 3.4 milionë euro. Por sipas tyre, diga nuk ekziston dhe nuk është ndërtuar kurrë. Prokurorët thonë se transaksionet e dyshimta për pastrim parash datojnë që në vitin 2007, kur “KGE” dhe “Energji” filluan të kryenin veprime financiare me njëra-tjetrën.

Paralelisht, thonë prokurorët, në vitin 2013 përmes këtyre dy kompanive është realizuar një tjetër manovër, në sajë të të cilës janë lëvizur në mënyrë të paligjshme shuma të mëdha parash. Më konkretisht, Prokuroria thotë se, “dy kompanitë e të njëjtit pronar kanë sajuar mes tyre një konflikt, sipas saj, të rremë për zgjidhjen e të cilit i janë drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit në Tiranë.

Sipas prokurorëve, në këtë konflikt të sajuar, shoqëria “Energji” e Becchetti-t pretendonte se kishte kryer punime për shoqërinë tjetër “KGE”, po në zotërim të Becchetti-t, por kjo e fundit nuk e kishte paguar.

Pra, sipas prokuroreve, Becchetti kishte paditur Becchetti-n për t’i marrë para Becchetti-t për një punë që Becchetti kishte kryer për Becchetti-n, e për të cilën Becchetti nuk kishte paguar, po Becchetti-n.

Prokurorët thonë se, “konflikti fiktiv u sajua për të shmangur një tjetër konflikt real që Becchetti kishte me bankën e njohur “Deutche Bank”, partneren e tij në koncesionin e Kalivaçit. Prokuroria thotë se dy kompanitë kanë dorëzuar në gjykatë dokumenta të falsifikuara dhe në bazë të tyre, gjykata ka marrë vendim për të zgjidhur konfliktin duke detyruar shoqërinë “KGE”, që të paguajë për shoqërinë “Energji” 48 milionë euro.

Sipas grupit hetimor, kjo manovër dëmtoi “Deutche Bank” dhe mundësoi që të qarkullonin shuma të mëdha parash në mënyrë të paligjshme për punime të rreme që nuk u kryen asnjëherë.

Top Channel