Berisha, kundër sekuestros së “Agon”: E urdhëroi Rama, se ishte televizion kritik

09/06/2015 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kritikuar vendosjen e sekuestros ndaj televizionit “Agon Channel”, si një nga bizneset e Francesco Becchettit. Ai tha se, ky veprim është urdhëruar prej kryeministrit Rama, pasi televizioni “Agon” ishte kritik ndaj tij. Megjithatë, Berisha theksoi se, nëse ka shkelje të ligjit, Becchetti duhet të hetohet.

“Ky televizion u përball me Edi Ramën fuqimisht, në të gjithë veprimtarinë mafioze të kreut të qeverisë. Absolutisht, jam që të ndiqet çdo njeri, që ka realizuar vërtet larje parash, por të jepet arresti në avancë, pa e verifikuar gjykata, sepse unë nuk mund të besoj denoncimet e ‘çorapes’. Kreu aktual i Drejtorisë së Luftës kundër Larjes së Parave, është i aftë për moralin dhe integritetin që ka, të akuzojë çdo shqiptar politikisht për larje parash. Dhe unë e kam akuzuar atë, në kuptimin që i kam kërkuar prokurorisë të hetojë të gjithë mundësinë e asaj që flitet, se ky i ka krijuar Dzakashvillit, në transfertat e tij të dyshimta qartësisht, të njoftuara nga banka. Doli lidhja kontraktuale e Ajolës me Dzakashvillin, dhe tani duhet të qarkullojë arresti, po arrestohet filani, në mënyrë që njerëzit të krijojnë një dominancë tjetër, e që të harrojnë këtë histori”, u shpreh ish-kryeministri Berisha.

Top Channel