Rama: PD nuk ka çfarë të ofrojë më

09/06/2015 00:00

Nga Fushë-Arrëzi kryeministri Edi Rama i quajti zgjedhjet e 21 Qershorit si të një rëndësie të madhe për familjet, sepse “vendoset si do të jetë jeta në 4 vitet e ardhshme, jashtë mureve të shtëpisë”.

Nuk do të vendosni për Parlamentin, nuk do të vendosni për partitë në Tiranë, nuk do të vendosni për flamujt e partive në Tiranë, por do vendosni si do të qeverisen komunitetet”, tha Rama.

“Prej shumë vitesh, Bashkinë e Fushë-Arrëzit e drejton Partia Demokratike, prej shumë vitesh në këtë bashki të gjithë qytetarët kanë pasur mundësinë të shikojnë dhe të gjykojnë. Sot është dita për t’i dhënë një drejtim të ri kësaj bashkie që prej kaq shumë vitesh ka mbetur e braktisur, e izoluar dhe jeton vetëm falë punës dhe sakrificave të jashtëzakonshme të familjeve që banojnë në Fushë-Arrëz, por që për qeverinë në Tiranë për vite e vite të tëra kur PD drejtonte edhe bashkinë këtu, edhe qeverinë në Tiranë, kjo bashki nuk ekzistonte. Ne kemi punuar me ngulm dhe me shumë mundim në 18 muajt e parë të qeverisjes për të përballuar një situatë aspak të lehtë me borxhe të mëdha të trashëguara dhe me plagë të mëdha që kërkojnë kurim dhe shërim. Por në 18 muaj ne kemi arritur sidoqoftë që në të gjitha bashkitë ku drejtojnë socialistët dhe progresistët të bëjmë të mundur fillimin e një kthese të madhe, e cila është e dukshme sapo shkel në ato bashki”, shtoi kryeministri.

Modeli që ofrojnë demokratët – tha Rama – është ai i kryebashkiakut aktual në Fushë-Arrëz, i cili nuk është përpjekur të trokasë në derën e qeverisë e të sjellë një projekt për këtë qytet.

“Atëherë si do të vazhdojmë kështu?! A mjafton që Partia Demokratike të largojë një kryetar bashkie që e ka këtu në Fushë-Arrëz e të marrë një kryetar komune nga Iballa edhe thotë; ‘merreni tani, mbajeni për kryetar bashkie’? Po për çfarë ta mbani për kryetar bashkie?! Çfarë ka bërë dhe ç’do të bëjë? Në 4 vite e 4 të tjera, me 8 vjet PD-në në pushtet këtu praktikisht nuk u bë absolutisht asgjë që të mbahet mend. Çdo familje duhet të shikojë me kujdes se cilët janë kandidatët, cilat janë forcat që i mbështesin këta kandidatë. Fushata e PD-së nuk ka lidhje fare me këto punë. Këto janë punët e bashkive. Fushata e Partisë Demokratike flet për gjëra që janë komplet pa lidhje. Mund të jetë një përrallë e bukur që, votoni PD-në që ta merrni energjinë qyl. Po kush do ta bëjë energjinë qyl, ky kryetari i komunës së Iballës?!”, tha më tej Rama.

Top Channel