“Shqiptarizohet” amfiteatri para Bashkisë së Londrës

09/06/2015 00:00

Në ambientet e Bashkisë së Londrës, një nga shoqatat më të mëdha dhe më aktive të komunitetit shqiptar në Britani “Shpresa Programme”, në bashkëpunim me gazetën e komunitetit “The Albanian” dhe grupin e kërcimit “Dancing Challenge”, aritistë të njohur shqiptarë në Londër organizuan Festivalin e Kulturës.

Ky aktivitet, që synonte sensibilizmin dhe promovimin e vlerave kulturore e artistike të shqiptarëve të Britanisë dhe arritjet e tyre integruese, zhvillohej për herë të parë përpara zyrave të kryebashkiakut të Londrës, Boris Johnson, që e mbështeste këtë aktivitet të komunitetit shpiptar.

Në festivalin e mbajtur në Amfiteatrin përpara Bashkisë, në afërsi të një prej ikonave të turizmit londinez “London Bridge”, performuan artistë të rinj dhe të njohur shqiptarë, si pianistet Mariela Cingo e Tara Neli, viiolinisti Aurel Qirjo, Ansambli i Valleve të “Shpresa Programme” dhe grupi i kërcimit “Dance Challenge”, nën drejtimin e koreografit të mirënjohur me banim në Londër, Tomorr Kokona.

Ky aktivitet kulturor në ambient të hapur u ndoq edhe nga shumë turistë në Londër. Aktiviteti u përshëndet nga 4 deputetë britanikë, si Sadik Kahn dhe David Lammy, kandidatë potencialë për kryebashkiak të Londrës; Stephen Timms dhe Mike Gapes, të cilët kanë ofruar mbështetjen e tyre për bërjen e gjuhës shqipe provim mature në shkollat angleze.

Duke folur në këtë akivitet, Sadik Kahn u tha shqiptarëve të mbledhur në këtë festival se, “ajo që po bëni ju është, që po i tregoni Londrës historinë e shkëlqyer të vendit tuaj, trashëgiminë dhe muzikën e kombit tuaj. Ju që keni lindur e jetoni në Londër jeni ambasadorët e Shqipërisë. Edhe pse jetoni në këtë vend, i cili është bërë vendi juaj, ju sërish duhet ta doni Shqipërinë”.

Ndërkohë, deputeti tjetër britanik, Mike Gapes, i zgjedhur në një nga zonat me popullësi të madhe shqiptare, u shpreh se “ju jeni modeli më i mirë i mundshëm, që të gjitha komunitetet e huaja në Londër duhet të ndjekin si shembull. Nëse fëmijët tuaj ndihen krenarë se nga vijnë, integrohen shumë më lehtë në shoqërinë britanike. Fëmijët tuaj janë të lindur në Angli, e sërish janë krenarë që janë shqiptarë”.

Luljeta Nuzi, drejtuese e shoqatës “Shpresa Programme”, tha për Top Channel se “jam me fat dhe e privilegjuar, që jam në gjendje t’i shërbej komunitetit tim dhe të punoj me njerëz kaq të përkushtuar, atdhetarë, dhe krenarë që janë shqiptarë”.

Ky aktivitet disaorësh u mbyll me pjesëmarrjen e madhe të të gjithë të pranishmëve, që nën drejtimin e koreografit Tomorr Kokona perfomuan vallen Pogonishte, duke rrethuar Amfiteatrin e Bashkisë së Londrës. Për disa orë, në qendër të Londrës u dëgjua vetëm muzikë dhe art shqiptar.

Top Channel