Ndotja e ujit dhe Gjanicës, pezullohet aktiviteti i ARMO-s në Ballsh e Fier

09/06/2015 00:00

Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve vendosi pezullimin e aktivitetit të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës, në Ballsh, dhe Uzinës së Përpunimit të Naftës, në Fier; të dyja pjesë e kompanisë “ARMO Sh.a.”.

Ky vendim ka ardhur pas inspektimit të kryer më 1 qershor, ku janë vënë re shkelje në trajtimin përfundimtar të mbetjeve të dala nga procesi.

“Në bazë të vlerësimit të situatës reale, nga inspektimi kanë rezultuar problematika si: ndotja e burimeve ujore dhe e lumit Gjanica; ndotje e zonës bregdetare, si rezultat i shkarkimit të ujërave të ndotur; probleme sociale dhe shëndetësore mbi banorët e zonave, ku kalojnë këto burime ujore. Ndotja e ujërave të lumit Gjanica përbën rrezik të drejtpërdrejtë për prodhimet bujqësore, si pasojë e përdorimit të ujit për tokat bujqësore”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit.

Veç pezullimit të aktivitetit, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve kërkon nga ARMO, aplikim për leje mjedisore për gropën ekologjike në të dy zonat; paraqitjen e planit të monitorimit, i cili duhet të sigurojë që monitorimi jep të dhëna të plota për shkarkimet dhe ndikimet në mjedis; si dhe raportin e vetëmonitorimit të 6 muajve të fundit për shkarkimet në ajër, e të muajit të fundit për shkarkimet në ujë.

“Menaxhimi i mbetjeve të të gjitha llojeve duhet të bëhet në përputhje me kuadrin e ri ligjor të mbetjeve. Për këtë, kompania duhet të paraqesë një plan të menaxhimit të mbetjeve, ku të përcaktohen të gjitha llojet e tyre dhe cikli i trajtimit të tyre”, – bën të ditur Ministria e Mjedisit.

Nga ana e tij, kryeinspektori Ergys Agasi thekson se, heqja e masës së pezullimit të aktiviteteve të kompanisë “ARMO Sh.a.” do të bëhet pas vlerësimit të realizimit të masave dhe detyrave të lëna për zbatim. Asnjë subjekt nuk do të lejohet, që të shfrytëzojë në mënyrë të papërgjegjshme burimet natyrore dhe të dëmtojë mjedisin shqiptar, apo të vërë në rrezik jetën e qytetarëve.

Top Channel