Zhvillohet seanca e Apelit për kryetarin e Prizrenit, Muja

09/06/2015 00:00

I dënuar për shpërdorim të detyrës zyrtare, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja i ka mbrojtur edhe njëherë vendimet e tij, për të cilat është akuzuar nga prokurori ndërkombëtar. Këtë herë, Muja foli para trupit gjykues në seancën gjyqësore të Apelit, pas ankesës së palës mbrojtëse për vendimin e Shkallës së Parë, me të cilin kryetari i Prizrenit dhe 5 bashkëpunëtorë të tij dënohen me burg.

“Unë kam një përvojë të gjatë pune, 49-vjeçare, prej të cilave 41 në arsim. Kam kontribuuar në arsimimin e gjeneratave të reja dhe të gjitha veprimet e mia, gjatë kësaj përvoje të gjatë, kanë shkuar në favor të shoqërisë. Edhe këto veprime, për të cilat po akuzohem, i kam bërë në interes të shoqërisë, veçanërisht të qytetarëve të Komunës së Prizrenit, të cilët me tërë vetëdijen e tyre më zgjodhën për tri mandate”, tha Ramadan Muja, kryetar i Komunës së Prizrenit.

Kryetari i trupit gjykues paralajmëroi se, vendimi i Apelit do të jepet në ditët e ardhshme dhe do t’u komunikohet palëve. Ai nuk bëri komente të tjera rreth kësaj çështjeje, përveç se mohoi që bëhet fjalë për një vendim të ndikuar politikisht, pas akuzave të kësaj natyre që mori nga pala mbrojtëse.

Avokati i kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja, Tomë Gashi, e mori fjalën disa herë gjatë seancës gjyqësore, për të theksuar faktin se, ai është zgjedhur në këtë pozitë për tri mandate nga qytetarët e kësaj komune. Sipas Gashit, ky fakt e bën Mujën kryetar të ndershëm e të përgjegjshëm për veprimet e ndërmarra gjatë qeverisjes së tij lokale.

“Ramadan Muja, me zgjedhjen e tij si kryetar i Komunës së Prizrenit, i ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij në interes të qytetarëve”, tha Tomë Gashi, avokat.

Vetë kryetari i Prizrenit, pas përfundimit të seancës nuk pranoi të komentonte për veprimet e tij në të ardhmen, nëse edhe Apeli e vërteton aktgjykimin e Shkallës së Parë.

Gjykata Themelore e Prizrenit e shpalli fajtor kryetarin Ramadan Muja, ashtu si dhe 5 bashkëpuntorët e tij, për shpërdorim të detyrës zyrtare. Konkretisht bëhet fjalë për “tjetërsim të pronës publike brenda një dite dhe pa asnjë procedurë, për t’ia dhënë më pas në shfrytëzim kompanive private”, një fabrike çokollatash dhe qendrës arsimore turke, “Gulistan”.

Top Channel