Rama: PD është shndërruar në një çetë

09/06/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama u ndal në Malësinë e Madhe ku prezantoi kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Tonin Marinaj dhe akuzoi Partinë Demokratike se është shndërruar në një çetë që po gënjen shqiptarët.

“Për fat të keq nga ana tjetër nuk qëndron një alternativë, nuk qëndron një skuadër që ka vizion, ide, program dhe lidership, por qëndron një çetë në shpartallim e sipër që fatkeqësisht mban emrin e madh të Partisë Demokratike, por që në të vërtetë nuk është asgjë tjetër përveçse një trupë cirku që shkon nëpër Shqipëri për të treguar përralla nga më të çuditshmet, a thua që më 21 qershor, duke votuar Partinë Demokratike dritat do të bëhen qyl, taksat do të jenë më të ultat në botë, reforma e madhe që bashkoi edhe bashkinë e re të Malësisë së Madhe do të kthehet përmbys, e kështu me radhë”, tha Rama.

Për kryeministrin, Tonin Marinaj është zgjedhja e duhur që ua lehtëson votimin banorëve të Malësisë së Madhe.

Rama tha se Partia Socialiste ka treguar në 18 muaj se është në gjendje të ndërtojë shtetin, ndërsa me votën për aleancën e së majtës më 21 qershor, premtoi investime si kurrë më parë në Malësinë e Madhe.

“Do ta keni shumë më të lehtë për të bërë zgjedhjene  duhur. Duke votuar për Toninin, detyrimi ynë ndaj jush do të jetë aq i madh sa do të jetë koha që ne do të kemi në dispozicion për t’ju shërbyer ju. Votoni Toninin që të bëjmë në 4 vitet e ardhshme për Malësinë e Madhe, sa ç’nuk është bërë në çerekfshekulli për Malësinë e Madhe”, tha Rama.

Top Channel