Familjarët e imamit Orion Reci: Akuzat, shpifje kundër fesë islame

09/06/2015 00:00

Orion Reçi është një ndër 9 të akuzuarit e Prokurorisë, të cilët dyshohen për nxitje përmes predikimit për kryerje të krimeve terroriste dhe për rekrutim personash, që nisen drejt Sirisë.

Dikur një fëmijë i rritur në jetimore dhe më pas i birësuar, sot ai është baba i 3 fëmijëve dhe burrë i një bashkëshorteje, e cila gjithashtu ndjek ritet fetare. Pikërisht për këtë arsye, ajo nuk dëshiron të flasë para kameras, duke ia lënë si detyrë të vëllait, që të rrëfejë për akuzat që rëndojnë mbi imamin e Xhamisë së “Unazës së re”.

Mexhan Shtufi tregon momentet e para të arrestimit të dhëndrrit të tij.

“Momentin e parë kur i morëm vesh arrestimet e muslimanëve të ‘Unazës së re’, ai ishte mik në Shkodër. Kur erdhi në shtëpi, mori vesh lajmin dhe doli për të shkuar te xhamia, sepse i dukej çudi. E arrestuan më pas në darkë dhe pas plaçkitjes së gjithçkaje, duke i marrë si prova materiale një kompjuter, një USB dhe një telefon, i gjetën edhe një libër. Më pas i komunikuan akuzën e terrorizmit. Një terrorist pa tritol, pa armë. I vetmi shkak është se u ka dhënë fëmijëve shkrim dhe lexim Kurani”, tha kunati.

Literatura e përdorur në xhami të veçanta është detaji më i fortë i Prokurorisë, ndërkohë që familjarët e të akuzuarit e interpretojnë krejt ndryshe.

“Absolutisht, Kurani është shkruajtur që para 1400 vitesh dhe ai nuk ndryshon”.

Sipas Mexhanit, gjithashtu praktikant i fesë, akuzat i kanë përjetuar edhe familjarët.

“Ne jemi tmerruar. Kemi hequr dhe ne shqetësimet tona, duke na quajtur terroristë. Për ne ka respekt e gjithë lagjja”.

Kur vjen radha për të folur mbi Sirinë, Mexhani tregohet shumë i kujdesshëm.

“Siria është çështje politike dhe nuk na përket neve, njerëzve të vegjël, të flasim për çështje të mëdha. Por këtu ka dijetarë të Islamit që kanë mbajtur qëndrimet e tyre”.

Familja nuk pranon asnjë nga akuzat.

“Absolutisht, me garanci. Nuk është kurrë e vërtetë, janë sajesa e shpifje”.

Pavarësisht gjithçkaje, ai thotë se Orionin, ose siç e quajnë me emrin fetar Enes, do ta mbështesin deri në fund.

“Do e mbështesim deri në fund. Edhe pse e diskriminojnë për shkak të fesë dhe besimit”.

Top Channel