Gurras dhe Leshnicë, aty ku “Siria” është kryefjala e ditës

09/06/2015 00:00

Fshati Gurras gjendet pak kilometra në dalje të Pogradecit. Banorët e tij janë tepër mikpritës, deri në momentin që mësojnë arsyen e vizitës.

Që nga viti 2013 e deri më sot, fshati njihet si vatër ku rekrutohen të rinj në emër të fesë, të cilët më pas nisen drejt Sirisë, në të shumtën e rasteve pa kthim. 4 të rinj të fshatit janë vendosur atje, njëri prej të cilëve me familjen. Por të gjithë preferojnë të heshtin.

Disa kilometra më tutje shtrihet Leshnica, një fshat ku gjithashtu emri “Siri” shqiptohet nën dhëmbë nga banorët. Dy djem të fshatit të tyre janë larguar në vitin 2013.

Për 28-vjeçarin Ervis Alinj, asgjë nuk mund të thuhet me siguri, edhe pse prej kohësh nuk ka asnjë kontakt me familjarët. Ndërsa për Bledar Hamzën, 27 vjeç, dyshohet se u vra gjatë luftimeve në Siri, muaj më parë. Nga i njëjti fshat është edhe Almir Daci, ish-imami i fshatit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për rekrutimin e tyre.

Në familjen e Ervisit, e ëma Hurmaja dhe i ati Hamdiu, kanë ende peng mënyrën sesi u largua djali atë ditë.

“Ai as më foli, e as më bëri. Erdhi lau kokën dhe… e dija se do të shkonte të falej në xhami. Prit e prit, kaloi ora që vinte të hante drekën, deri sa ora shkoi 18 e pasdites. Atëherë i thashë djalit të vogël ta merrte në telefon. Na tha që ishte në Pogradec dhe do të flinte atje, pastaj do të ikte në Greqi, për të kaluar më tej në Gjermani”, thotë e ëma.

“Më mori në telefon pas një muaji dhe, kur e pyeta se ku ishte, më konfirmoi që ishte në Gjermani, pavarësisht se unë i thashë se dyshoja që ishte në Siri. Më mori dy herë në telefon gjithsej, pastaj i humbi kontaktet me të”, thotë babai.

Sipas të atit, Ervisi kohët e fundit kishte nisur të ndryshonte disa sjellje.

“Kishte shfaqur disa sjellje të çuditshme. Që kur u mpleks me këta këtu, nuk hante më as mishin, as kofshën e pulës, asnjë gjë. I donte të therura këtu në shtëpi. Po ta therrte vetë shqerrën e hante mishin, përndryshe jo. Vinte Bajrami, e tërë Shqipëria festonte, ndërsa fshati ynë nuk kishte festë”, shton i ati.

Pavarësisht hallit të madh që i ka rënë, Hamdiu është tepër i kthjellët për të ngritur disa pikëpyetje, që mesa duket e mundojnë prej kohësh. Pikëpyetje që lidhen me ata, të cilët i akuzon si fajtorë për zhdukjen e të birit.

“Nuk i keni parë shtëpitë e tyre. Ai ka bërë shtëpinë më të mirë në fshat, si e bëri atë? Ku i marrin paratë, që u vijnë furgonat plot me ushqime? Aq shumë u vinin sa i çonin edhe në dyqan për t’i shitur”, thotë babai.

Edhe pse lodhen ende për ta kuptuar se çfarë e shtyu Ervisin të nisej drejt Sirisë, një gjë i ati e thotë me siguri: ata nuk kanë probleme ekonomike. Por revolta e tij del në sipërfaqe, kur e pyet për atë vend, që as emrin s’do t’ia dëgjojë.

“Ata që ikin në Siri duan plumbin për mua”, tha babai. I biri u mungon shumë.

Në shtëpinë ku ka lindur Bledar Hamza, tashmë jeton vetëm gjyshja e tij, Fitreti. Bisedën e fundit telefonike me nipin, asokohe 27 vjeç, e mban mend mirë.

I diplomuar për Financë me rezultate të larta, Bledari jetonte prej shumë vitesh në Itali me familjen. Kohët e fundit ai kishte krijuar dhe familjen e tij. Tre muaj pasi iku në Siri tërhoqi edhe gruan shtatzënë, edhe vajzën 3-vjeçare. Sot, të tre ndodhen ende në Siri.

Familjarët e Ervisit dhe Bledit kanë dhe një apel.

“Unë nga shteti dua të më sjellë djalin. Ose ta di ku është të paktën, kaq dua”, tha babai.

Top Channel