Idrizi: Jemi në aleancën e rezolutës çame

09/06/2015 00:00

Nga një takim elektoral në Tiranë, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi iu përgjigj zërave kritikë për rreshtimin elektoral të forcës që ai drejton në zgjedhjet e 21 qershorit.

“Ne jemi në aleancën që ka bërë një rezolutë për çështjen çame, që ka në program çështjen çame. Pra jemi në vendin e duhur. Nuk mund të jemi kurrë mbushës për asnjë parti politike shqiptare”, deklaroi Idrizi.

Idrizi tha se PDIU jo vetëm do fitojë në bashkitë ku kandidon me kryetarë, por edhe do të dyfishojë votat në këtë zgjedhje, ndërsa i dha përgjigjie edhe reagimeve të Athinës pas zgjedhjes së tij nënkryetar i Kuvendit.

“Nëse dikujt i dhembin sytë jashtë Shqipërisë, sepse për herë të parë pas 25 vitesh një nënkryetar Kuvendi është nga shqiptarët e Çamërisë, i them PDIU që nuk i ndan shqiptarët në të nënës dhe të njerkës. Nuk mund të jetë partia e njerëzve që trashëgojnë një padrejtësi të madhe historike, një parti që nuk i bashkohet kauzave të të drejtave të njeriut. Forcat nacionaliste, ato naziste i kanë në Kuvendin e tyre dhe nuk kanë asnjë paralele me PDIU”, deklaroi Idrizi.

Top Channel