OSHEE, investimet në terren nisin me rrjetin Paskuqan-Babrru

09/06/2015 00:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur fazën e investimeve në terren nga zona e Paskuqanit dhe Babrrusë, që ka një rrjet të amortizuar mbi 30-vjeçar.

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, dhe drejtori i OSHEE-së, Adrian Çela, inspektuan nisjen e punimeve për rrjetin e tensionit të mesëm 20 kV Paskuqan-Babrru, një investim me vlerë 16 milionë dollarë.

Ministri Gjiknuri tha se, këto investime janë rezultat i rikthimit të ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike dhe vënies së rregullit në pagesën e faturave nga konsumatorët, parà që po kthehen në investime dhe shërbim më cilësor për ta.

Fiderat aktualë në këtë zonë rezultojnë me humbje deri në 56%, ndërsa një vit më parë humbjet shkonin në 65%. Periudha e kryerjes së investimit do të jetë 6-8 muaj dhe pritet të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji, për rreth 16.000 abonentë familjarë dhe biznese.

Top Channel