Çështja “Becchetti” në mediet britanike, që raportojnë fletë-arrestin. Në Londër, pronar i Leyton Orient

09/06/2015 00:00

Po me aq bujë sa krijoi mbërritja e Francesco Becchettit në Londër, duke blerë një ekip futbolli, po me të njëjtën bujë, kësaj here në sensin negativ, mediet e vendit ishullor raportojnë fletë-arrestin ndaj tij lëshuar nga gjykata shqiptare.

“Skysports” shkruan se Becchetti, i cili bleu klubin e futbollit verën e shkuar dhe që pa mbushur një vit e ka nxjerrë në shitje, është i akuzuar për mashtrim nëpërmjet një skeme, ku përfshihet një hidrocentral.

Pronari i Leyton Orient, Francesco Becchetti, kërkohet në Shqipëri për mashtrim. Ky është titulli i prestigjiozes “the Guardian”, ndërsa si nëntitull theksohet se Becchettin e pret një burgosje prej 15 vitesh, nëse shpallet fajtor.

Ka pasur raportime muajin e shkuar – thotë “the Guardian”, – se Becchetti është duke konsideruar shitjen e Leyton Orient pasi ra në ligën e dytë (League 2). Ai bleu 90% të aksioneve, me vlerën 4 milionë stërlina, nga ish-pronari.

Ndërsa “Daily Mail” ka titullin: Biznesmeni italian shpallet në kërkim për mashtrim.

Një artikull të gjatë për hetimet në Shqipëri ndaj Francesco Becchettit, ka publikuar edhe gazeta lokale, ku ndodhet klubi i futbollit Leyton Orient. Kjo gazetë ka marrë një deklaratë nga zëdhënësi i klubit, i cili ka thënë se “jemi duke pritur konfirmim nga shefi ekzekutiv i klubit. Nuk e dimë se në cilin vend ndodhet Becchetti, por ai shpenzon më të shumtën e kohës në Itali”, ka thënë zëdhënësi.

Nën pronësinë e Becchettit, – shkruan kjo gazetë, – Leyton Orient ka kaluar një periudhë të trazuar. Prej kohës kur Becchetti mori pronësinë e ekipit, ka shkuar në 5 numri i trajnerëve të ndërruar.

Një vit më parë, përpara se Becchetti të merrte pronësinë, Leyton Orient luante finalen e ligës së parë (League 1), si pretendentë për t’u ngjitur në “the Championship”, siç quhet kategoria e dytë futbollistike në Angli.

Menjëherë pas blerjes, këtë vit Leyton ka shënuar pikën e saj më të ulët, me rënien një kategori më poshtë, në ligën e dytë (kategoria e katërt).

Top Channel