Halim Kosova, në Shkozë: Fond 15 mln euro për bizneset e të rinjve

09/06/2015 00:00

Doktor Kosova u ka premtuar të rinjve të kryeqytetit se do të ketë një fond prej 15 milionë eurosh për të mbështetur hapjen e bizneseve të reja.

“Sot që flasim, shuma është 5,2 milionë dollarë dhe angazhimi im me të gjitha mundësitë e bashkisë është që të arrijë deri në 15 milionë euro. Kjo do të thotë se, kur një dikush apo shumë shokë e shoqe mblidhen së bashku me një ide, keni një projekt dhe doni të ndërtoni diçka, por nuk keni mundësi financiare, atëherë Bashkia e Tiranës bëhet garantuesja në bankë e kredisë. Domethënë që s’ke nevojë të lesh garanci shtëpinë e babit apo ndonjë gjë tjetër”, tha Halim Kosova.

Kandidati i së djathtës për Tiranën, në takimin e radhës në Shkozë shpjegoi se, do të hapë një zyrë me avokatë dhe juristë për çdo problem të qytetarëve.

“Do të funksionojë një zyrë me avokatë e juristë të zotë, që çdo problem të qytetarëve të Tiranës, kudo ku janë, apo nëse e kanë me pronën e me gjithçka tjetër, të kenë një zyrë dhe të kenë numrat falas në dispozicion ku të mund ta qajnë hallin. Mjafton ta raportojnë hallin aty dhe do të jenë personat e kësaj zyre që do të ndjekin të gjithë procedurën”, tha më tej Kosova.

Doktor Kosova, duke kërkuar votën në lagjen e Shkozës, u shpreh se ka ardhur koha, që qytetarët të mendojnë për 4 vitet e ardhshme dhe jo më për një ditë të vetme.

“Që të mos e rregulloni ekonominë për një dytë apo për dy javë, por mendoni për 4 vitet e ardhshme. Vetëm duke menduar për 4 vite, juve do t’iu plotësohen ato që keni nevojë, kudo ku ju banoni”, u shpreh kandidati Kosova.

Top Channel