Rama, në Shkodër: Bashkia e PD, 3 javë për një çelës, imagjinoni sa kohë u duhet për një projekt

09/06/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta kërkuan votën për Ketin Bazhdarin në Shkodër për të transformuar, sipas tyre, edhe këtë qytet, ashtu si qytetet e tjera të qeverisura nga socialistët.  

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama solli një shembull të thjeshtë, sipas tij, të ndryshimit mes ofertës së Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe asaj të koalicionit opozitar.

“E vetmja gjë që mbaj mend dhe do të mbaj mend gjatë nga bashkëpunimi me Bashkinë e Shkodrës, është që na u desh 3 javë për të marrë çelsin e stadiumit për të nisur punën. 3 javë për një çelës që hapte një derë hekuri për të hyrë në një pellg, ku prej shumë vitesh hyjnë e dalin sportdashësit më të zjarrtë të këtij vendi dhe talente, që vetëm Shkodra e Vllaznia kanë nxjerrë në këto vite. 3 javë për një çelës për të nisur një investim për Shkodrën, shkodranët, ekipin tonë kombëtar, imagjinoni nëse i duhen 3 javë për të dorëzuar një çelës, sa u duhet për të dorëzuar një projekt?”, tha Rama.

Kryeministri tha se kryebashkiakëve të PD-së u mungon vullneti dhe idetë për të zgjidhur problemet e komuniteteve që drejtojnë. Sipas tij, ka një ndryshim të madh mes bashkive të qeverisura nga demokratët dhe ato të qeverisura nga socialistët, ndryshim që ai tha se e kishte ndjerë këtë të martë më shumë se kurdoherë.

“Sot ka qenë dita më e vështirë e fushatës për mua. Kam qenë në bashkitë e PD, Fushë-Arrëz, Pukë, Malësinë e Madhe dhe tani në Shkodër. Ka një ndryshim të madh në realitetet e këtyre bashkive me ato të socialistëve, ku në 18 muaj ka nisur të fryjë shumë fort era e rilindjes, që shqiptarët votuan më 23 qershor të 2013. Në ato bashki ka qenë nxitja, forca e projektit, vullneti i kryetarëve të bashkive dhe mbështetja e Qeverisë. Ndërkohë që në bashkitë e ndërtuara nga Partia Demokratike nuk ka pasur asnjë nxitje, asnjë dëshirë, asnjë përpjekje për të kërkuar nga Qeveria bashkëpunim dhe për të vënë në jetë edhe për ato komunitete atë ndryshim që sot preket me sy dhe ndjehet në ajër sapo shkel në një bashki të drejtuar nga socialistët”, tha Rama.

Në 21 qershor, tha Rama, nuk zgjidhen hallet e PD, por zgjidhen problemet e komunitetit, duke kërkuar votën edhe nga demokratët.

“Sot njerëz të përndjekur nga diktatura, vazhdojnë ta shohin si idhull komunistin e fundit që vjen vërdallë”, shtoi ai.

Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se Shkodra nuk ka më nevojë as për kandidatë dhe as për kryetarë partiakë.

“Shkodra është lodhur me kandidatët partiakë. Shkodra ka nevojë për produktin e saj më të mirë sipërmarrës, për Keti Bazhdarin që t’u japë zgjidhje përmes bashkëpunimit, dhe jo konfliktit politik problemeve tuaja”, deklaroi ai.

Meta tha se, “alternativa partiake e krahut tjetër premton vetëm konflikt politik që nuk është në interes të Shkodrës dhe komunitetit”.

“Kemi respekt për të gjithë kandidatët, por këtu bëhet fjalë për të ardhmen e Shkodrës, për zgjidhjen e problemeve që ju keni, për t’i pakësuar ato çdo ditë, jo për t’i shtuar ato çdo ditë”, shtoi Meta.

Për kryetarin e LSI-së, Keti Bazhdari nuk është një produkt politik, por produkt i komunitetit të Shkodrës, që do të jetësojë projektet e saj për zhvillimin e komunitetit dhe do të zgjidhe problemet e tyre.

Meta garantoi mbështetjen e qeverisë për bashkinë e re të Shkodrës për realizimin e disa projekteve madhore, sidomos në infrastrukturë, duke përmendur këtu rrugën që lidh Shkodrën me Velipojën, me Thethin, Shëngjinin e madje edhe me Ulqinin në Mal të Zi.

Top Channel