Peqin, krim në familje; babai vret djalin

09/06/2015 00:00

Një krim brenda familjes ka tronditur banorët e Peqinit, mbrëmjen e së martës, kur babai 70 vjeçar ka qëlluar me pistoletë në kokë djalin e tij, 33 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në familjen Bahja, ku Ismail Bahja, pas një grindjeje me djalin e tij Eltonin e ka qëlluar në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.

Policia, e cila ka arrestuar autorin dhe ka sekuestruar armën e krimit, bëri me dije se 33-vjeçari kishte shkuar në gjendje të dehur dhe kishte dhunuar prindërit e tij.

Familjarët tregojnë se 33-vjeçari kërkonte me ngulm të shkonte në Angli, tek vëllai i tij dhe kërkonte para nga prindërit për udhëtimin. Të pamundur ekonomikisht ata kundërshtonin ikjen e djalin, çka u kthye në burim të përditshëm konflikti që më pas përfundoi në tragjedi.

Sipas dëshmisë së parë, në gjendje mjaft të rënduar psikologjike, 70-vjeçari Bahja ka deklaruar se qëlloi për ta trembur të birin që të mos dhunonte më nënën e tij, por fatkeqësisht ajo goditje ishte fatale.

Fqinjët tregojnë se familja Bahja ishte familje e qetë dhe gjithmonë prindërit ishin përpjekur të fshihnin konfliktin me djalin e tyre. Ndërkohë policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

Top Channel