Skandali “Hastert” në SHBA, ish-kongresmeni deklarohet i pafajshëm

09/06/2015 00:00

Ish-kreu i Dhomës së Përfaqësuesve Dennis Hastert, të martën në mbrëmje është deklaruar i pafajshëm, pas akuzave të ngritura se kishte gënjyer FBI-në për tërheqjet e jashtëligjshme të parave në bankë.

Ai u akuzua se ka paguar një person, i identifikuar si “Individi A”, me 3.5 milionë dollarë për të fshehur disa “sjellje të pahijshme seksuale” të Hastert. Burimet federale rrëfyen se “Individi A” ishte student në shkollën e mesme të Yorkville në Illinois, ku Hastert ishte mësues.

Para se të hynte në Gjykatën Federale të Çikagos, 73-vjeçari iu përgjigj nën zë disa pyetjeve të gazetarëve, por më shumë ngjanin me pëshpëritje. Ai shoqërohej nga avokati i tij, Thomas Green, i përfshirë në disa skandale politike.

Gjyqtari Thomas Durkin ka kryesuar senacat dëgjimore, por ka paralajmëruar se nuk do të vazhdojë të merret me këtë rast, për shkak të miqësisë së tij me të birin e Hastert. Gjithashtu, ai kishte dhënë donacione për fushatën e kongresmenit gjatë viteve 2002 dhe 2004.

Derisa emri i personit, që pretendohet se ka paguar Hastert për të fshehur skandalin e tij, nuk është bërë publik, emri i personit me të cilin ka abuzuar Hastert tashmë dihet. Jolene Burdge kishte thënë që vëllai Steven Reinboldt, që ka vdekur më 1995 pasi vuante nga SIDA, i kishte treguar se Hastert ka abuzuar me të.

Top Channel