7 këshilla për të lënë mbresa të mira

09/06/2015 00:00

Një shprehje thotë: “Asnjëherë s’do ta keni mundësinë e dytë, për të krijuar përshtypjen e parë”, prandaj është shumë e rëndësishme që, pavarësisht rastit, kur të takoni dikë për herë të parë, të leni mbresa të mira.

Përshtypja e parë është shumë e rëndësishme. Nëse jeni shumë të zotë për të lënë një përshtypje të mirë që herën e parë, atëherë ka shumë mundësi që jeta juaj të marrë një drejtim tjetër.

Fatkeqësisht disa gjëra janë jashtë kontrollit tonë dhe mund të varen nga fati, por le t’i harrojmë ato për një moment dhe të përqendrohemi tek ato që i kemi në dorën tonë.

Mendojeni pak! Mbresat pas një intervistë pune, me një klient të mundshëm apo me dikë që vërtet e pëlqeni… Prandaj, për të qenë më të përgatitur, ne ju listojmë shtatë këshilla për të lënë një përshtypje të parë të mirë.

1. Kujdes me pamjen e jashtme

Kjo nuk duhej të ishte para personalitetit apo disa aftësive tjera, por në të vërtetë është. Kujdesuni për higjienën tuaj dhe përshtateni veshjen tuaj me ngjarjen ku do të merrni pjesë. Mos harroni: më mirë të keni veshur disa gjëra të tepërta, se sa të shkoni gjysmë e zhveshur. Kushtojuni rëndësi edhe flokëve.

2. Mbaj nën kontroll “gjuhën e trupit”

“Gjuha e trupit” tregon për ju, më shumë se ç’tregon e folura. Mos u tregoni i ftohtë dhe i mbyllur, mbani një qëndrim të hapur dhe tërheqës. Shoqërojeni të folurën tuaj me lëvizje duarsh, sidomos në pjesët ku doni t’u jepni rëndësi fjalëve tuaja.

Mos e ekzagjeroni, sepse bëheni të padurueshëm. Kujdes kontaktin me sy, nëse ka disa persona në ambientin ku jeni, atëherë herë pas herë duhet t’i shikoni të gjithë. Nëse jeni në këmbë ose ulur, mbani shpinën drejt, pasi ndihmon në frymëmarrje dhe do të flisni më mirë.

3. Lëreni bisedën të rrjedhë natyrshëm

Mos kaloni direkt në tema profesionale. Kur ju takoni personin, atëherë filloni të bisedoni me të sikur përballë keni një mik tuajin. Lerëni bisedën të rrjedhë natyrshëm.  Pyeteni se çfarë ka bërë këto kohë, flisni për motin, për sportin… kështu ju dukeni më njerëzorë dhe ju ndihmon të krijoni një përshtypje të mirë.

4. Mbani nën kontroll emocionet

Nëse keni pasur një ditë të keqe, nëse jeni e stresuar, apo jeni të inatosur me miqtë të cilët kanë anuluar planet e fundjavës, atëherë të jeni të sigurtë se ato do dalin “jashtë”. Këto emocione ndikojnë në zërin dhe “gjuhën e trupit” tuaj. Në mënyrë që të shmangni këto “incidente”, atëherë meditoni disa minuta para se të dilni nga shtëpia, pasi ju ndihmon shumë.

5. Buzëqesh dhe… qesh

Buzëqeshja dhe qeshja janë ngjitëse, prandaj mos u frikësoni të buzëqeshni dhe të qeshni, pasi sa më shumë ta bëni këtë gjë, edhe personi përballë do të veprojë kështu. Nëse në një takim ka atmosferë të mirë, atëherë do të krijoni përshtypje të mirë. Gjithashtu, duke buzëqeshur i bëni të ditur personit që nuk jeni tip i vështirë dhe mund të bashkëpunoni.

6. Bëhu dëgjues aktiv

Njerëzit duan që të dëgjohen kur ata flasin. Asnjëherë mos e ndërprisni ose mos i lëni të kuptojë sikur ju nuk e keni mendjen tek ai/ajo. Jepni shenja që po e dëgjoni me vëmendje, duke bërë kontakte me sy, apo duke lëvizur kokën në mes të fjalive. Bëja të qartë që je duke e dëgjuar. Kjo ju bën një dëgjues të mirë, dhe rrjedhimisht, një person të mrekullueshëm.

7. Ji vetvetja

Mos harroni! Në fund të fundit, ajo që ka shumë rëndësi është se duhet të jeni vetvetja. Mos u maskoni si dikush tjetër, lëreni personalitetin tuaj të shfaqet dhe tregoni se kush jeni. Njerëzit vlerësojnë sinqiritetin. Praktikoni ato që lexuat më sipër, para pasqyrës ose miqve tuaj, dhe gjithçka do të jetë në rregull.

Top Channel