“Morava”, 4 të arrestuar për prodhim të pijeve të falsifikuara

10/06/2015 00:00

Gjatë një operacioni të koduar me emrin “Morava”, policia ka vënë në pranga 4 persona. Ata akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin prodhonin pije të falsifikuara.

Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit bënë të ditur se, u arrestuan: Edlir Hasa, 43 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i punësuar si administrator dhe pronar i kompanisë së prodhimit të pijeve alkoolike “Deis” shpk; Qemal Xhafa, 36 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, i punësuar si shofer pranë kësaj kompanie; Kristaq Jorgo, 62 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, me detyrë teknolog pranë kësaj kompanie dhe Ndriçim Hasa, 37 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë menaxher pranë kësaj firme.
 
“Duke shfrytëzuar licencën që kompania ‘Deis’ kishte per prodhimin e disa pijeve alkoolike me emërtimin përkatës, prodhonin dhe hidhnin në shitje pije të ndryshme të markave ndërkombëtare. Gjithashtu, në këtë punishte dyshohet se prodhohej dhe hidhej për shitje edhe konjaku ‘Skënderbeu’ dhe vera ‘Merlot’, shtuan të njëjtat burime.
 
Katër të arrestuarit në flagrance akuzohen për veprat penale të “shkeljes të të drejtave të pronësisë industriale”, “prodhimit të kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, të kryer në bashkëpunim, “fshehjes të të ardhurave” dhe “falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”.

Top Channel