Pushohet gjyqi ndaj Ndreut e Ndokës, Gjykata e Lartë: Nuk ka vepër penale

10/06/2015 00:00

Në përfundim të procesit gjashtëmujor me të pandehur dy deputetët socialistë, Pjerin Ndreu e Arben Ndoka, Gjykata e Lartë shpalli pushimin e gjykimit, me argumentin se Prokuroria nuk duhej të niste hetimet ndaj tyre.

Por, ndërsa gjyqtari Medi Bici lexoi vetëm disa fjalë, që kuptojnë pafajësinë e dy deputetëve për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”, në dëm të deputetit demokrat, Gent Strazimiri, menjëherë zyra e shtypit shpjegoi këtë verdikt.

Sipas Gjykatës së Lartë, çështja nuk duhej të fillonte për t’u hetuar, pasi ajo nuk bën pjesë në juridiksionin penal. Në njoftim thuhet se “përdorimi i fjalëve dhe shprehjeve fyese, si dhe kryerja e veprimeve të tjera faktike a të dhunshme nga ana e deputetëve, të cilat cenojnë veprimtarinë normale dhe autoritetin e Kuvendit, personin dhe dinjitetin e deputetit etj., të kryera gjatë veprimtarive parlamentare ose brenda ambienteve të Kuvendit, ose aty ku ai ushtron veprimtarinë e tij; përbëjnë tejkalime të lirisë parlamentare, shkelje që gjykohen dhe ndëshkohen nga vetë Kuvendi”.

Nën këtë dritë faktesh, Gjykata e Lartë vlerëson se dy deputetët socialistë i janë nënshtruar sanksionit dispilinor nga vetë Kuvendi, e për këtë arsye, sipas Kolegjit Penal nuk mund të ketë dy ndëshkime për goditjen e Strazimirit, edhe nga Kuvendi, edhe nga organet e drejtësisë.

Më herët, Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar shpalljen fajtor të Ndreut dhe Ndokës, dënimin e tyre me 230 orë punë në interes publik, për incidentin në korridoret e Kuvendit, ku pas fjalës së tij, deputeti Gent Strazimiri u godit nga kolegët. Kjo skenë iu soll Gjykatës së Lartë gjatë gjykimit, nëpërmjet pamjeve filmike të kamerave të sigurisë.

Deputeti Pjerin Ndreu, i cili ndoqi shpalljen e vendimit, kërkoi sërish ndjesë. “Paraprakisht dua të kërkoj falje për atë moment gjaknxehtësie, që unë shfaqa atje. Vetë vendimi i gjykatës e tregoi se gjithë kjo orvajtje ishte e kotë dhe çështja penale nuk duhej të fillonte. Më vjen keq për të gjithë autorët që e gatuan këtë histori kaq të madhe”.

Top Channel