Idrizi në Fier: PDIU do të krijojë grup juristësh pranë KZAZ, për të mbrojtur votën

10/06/2015 00:00

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka vijuar takimet elektorale në qytetin e Fierit. Ai tha se PDIU do të krijojë një grup juristësh dhe avokatësh jo vetëm në 61 bashkitë por edhe në të gjithë KZAZ-të.

Idrizi tha se ata do të mbrojnë dhe do të garantojnë çdo votë të PDIU dhe çdo partie tjetër të papërfaqësuar. Ai komentoi sërish vendimin e Kolegjit Zgjedhor, të cilin e ka cilësuar tërësisht antiligjor.

“Më vjen shumë keq sesi 5 gjykatës, përveç 6 votimeve e 5 orëve që harxhoi KQZ-ja, pas 3 orë e gjysmë, edhe këta të nderuar zotërinj nuk e gjetën dot se ku ishte vendi i PDIU. E imagjinoni miqtë e mi kur një partie politike, me grup parlamentar, e cila përfaqësohet në Kolegj me Nënkryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, nuk e gjeti dot të drejtën. Imagjinoni si mund ta gjejnë të drejtën në gjykatat tona një qytetar i thjeshtë. Ky është një vendim haptazi antiligjor dhe unë jam këto jo vetëm për ta denoncuar por për të garantuar çdo votë të PDIU çdo votë të çdo partie e cila nuk është e përfaqësuar, sepse ne do të ngremë, jo vetëm në 61 Bashkitë por në të gjithë KZAZ-të një grup ‎juristësh dhe avokatësh të cilët edhe transformimin e një vote do t’i çojnë për ndjekje penale nga 3 deri në 7 vjet dhe unë ju jam garant për këtë gjë”, u shpreh z. Idrizi.

Duke prezantuar programin e ‎PDIU-së, z. Idrizi kërkoi mbështjen e të gjithë qytetarëve të Fierit për të dyfishuar votat që kjo forcë politike arriti të merrte në zgjedhjet e vitit 2013.

Top Channel