Basha: T’i japim fund mashtrimit. Rama-Meta nuk do ia dalin as me kërcënime, as me sondazhe

10/06/2015 00:00

Nga Bashkia e Pukës në Bashkinë e Shkodrës, Lulzim Basha kërkoi votën e shqiptarëve për t’i dhënë fund një pushteti, që sipas tij, mashtroi qytetarët e vet me premtime të bujshme dhe tani, jo vetëm po i rrënon ekonomikisht me taksa të larta dhe papunësi, por po i kërcënon me paratë e pista të krimit.

Lulzim Basha ishte i bindur se 21 Qershori do t’i tregojë pushtetit se në Shqipëri demokracia funksionon dhe qytetarët nuk e shesin të ardhmen tek ata që i mashtruan 2 vjet më parë.

“Rama –Meta dhe makineria e tyre s’kanë lënë gjë pa bërë, që të mpijnë, të lodhin padurimin tuaj, vendosmërinë tuaj për të folur me votë në 21 qershor. Nuk kanë lënë gur pa lëvizur, me shantazhe, me sondazhe, me pazare, me kërcënime, me diversione. Kanë bërë gjithçka në këto 6 javë të fushatës por nuk ia kanë dalë dot. Nuk ia kanë dalë dot as ta trembin, as të na kërcënojnë, as ta ndalin vullnetin tuaj”, deklaroi Basha.

21 Qershori, sipas Lulzim Bashës, do të jetë jo vetëm dita e llogaridhënies për një qeveri që po fshihet prej qytetarëve të vet, por edhe dita kur shqiptarët të detyrojnë me votë qeverinë të ulë taksat dhe çmimin e energjisë.

“Erdhën në pushtet, rritën taksat kur kishin premtuar uljen e tyre, rritën çmimin e energjisë, kur kishin premtuar uljen e tij, rritën kërbaçin mbi kokën e popullit dhe tani i gënjen mendja se kur në fakt bënë të kundërtën e asaj për të cilën ishin votuar, se mund të injorojnë votën popullore të 21 qershorit. U them sot nga Puka se vota e popullit është ligj dhe ligji do të zbatohet menjëherë, për uljen e taksave, për uljen e çmimit të energjisë, për faljen e kamatë-vonesave. Ky është ligji që ju ftoj ta votojmë dhe vulosim së bashku në 21 qershor”, shtoi kreu i demokratëve.
 
Këtë mesazh, kreu i opozitës e përforcoi edhe gjatë një takimi elektoral në Dajç të Shkodrës. Lulzim Basha tha se një votë masive për Partinë Demokratike do të detyrojë qeverinë të zgjedhë mes largimit ose pranimit të verdiktit popullor për të lënë më shumë para në buxhetin e çdo familjeje përmes uljes së çmimit të energjisë, uljes së çmimit të karburanteve dhe uljes së taksave.

“Me votën e 21 qershorit për PD, ne nuk do të presim por do të kërkojmë e do të çojmë deri në fund betejën tonë, deri në fitore”,  u shpreh Basha.

Top Channel