Duma shpalos programin në lagjet e Durrësit: 15 mijë vende të reja pune

10/06/2015 00:00

Kandidatja e djathtë për bashkinë e Durrësit Grida Duma ka nisur prezantimin e programit në çdo lagje të qytetit. Brenda katër viteve, tha Duma do të happen 15 mijë vende pune, do të ulen taksat me 30 për qind, dhe tarifat bashkiake nga 24 që janë sot, do të reduktohen në 11.

“15 mijë vende pune në fund të katër vjeçarit. Çdo familje e bashkisë së Durrësit do ketë së paku një të punësuar. Do të shkojmë nga 24 taksa dhe tarifa që ka tani bashkia, ta çojmë në 11 tarifa. Ne do të kemi menjëherë një çlirim të ekonomisë së vogël dhe të mesme. Kam një detyrim moral për të vendosur drejtësi. Të gjitha faturat e ujësjellësit të cilat kanë ardhur si faturim 24 orësh kur treçereku i popullsisë nuk ka pasur ujë do rishikohen, dhe në rastet kur janë faturuar kur nuk ka pasur ujë, do ti zeroj të gjitha. 6 muaj do të mjaftojnë për rehabilitimin e situatës së ujit. Një vit e 8 muaj është projekti për të mbyllur gjithë rrjetin kanalizimeve, ndarjen e kanalizimeve të ujërave të zeza nga ato të bardha, pastrimin e kanaleve të mëdha dhe kthimin në zona të gjelbërta të kanalit të Kënetës dhe mbylljen e plotë të kanalit të Shkozetit. 3 fishim i transportit publik është plani brenda 2 muajve si dhe futja e konceptit të biletës me orë. Nëse ke paguar një biletë në orën 8 sigurisht ajo do të vlejë deri në orën 11 apo në zona të veçanta deri më 12 sepse s’mund të zbresësh nga një stacion në tjetrin dhe të presësh biletë. Gjithë bota ka biletën me orë dhe gjithë qyteti ka një transport publik”, tha Duma.

Një premtim i veçantë ishte edhe rehabilitimi i lagjes së ish të përdjekurve politikë.

“Kjo është një lagje e banuar nga përgjithësisht ish të persekutuar që gjithastu janë konsideruar të persekutuar edhe nga bashkia. Por kanë ideale dhe kanë arritur të mbrojnë që aty të mos u ndërtohej gjë me beton. Kur shkova aty më thanë; zonja Grida, e kemi ruajtur se e dinim që dikush do e bënte për ne”, u shpreh Duma.

Top Channel