Pushimet e verës, si të planifikoni bashkimin familjar

10/06/2015 00:00

Keni kohë pa parë të afërmit tuaj? Pushimet e verës janë koha për ribashkim dhe do të keni shumë shoqëri dhe kënaqësi. Pjesa më e madhe e atyre që bëjnë pushime bashkë me “familjen e madhe” thonë se kanë një arsye për të festuar. Do të shihni shumë ribashkime familjare, kudo gjatë verës.

Sipas “Fox News”, një resort në Kolorado mirëpret plot 700 ribashkime familjesh në vit. Ka ribashkime shumë të mëdha, ku përfshihen gjyshërit, prindërit, nipërit e mbesat, hallat, xhaxhallarët, kushërinjtë etj.

“Fox News” jep disa këshilla për të kaluar një ribashkim familjar sa më të kënaqshëm.

Së pari, mos u mundoni të disiplinoni fëmijët e askujt tjetër!
Së dyti, mos kritikoni asnjë për prindërimin apo gatimin!
Së treti, mos flisni për politikë!

Kudo që të shkoni duhet të siguroheni që gjithësecili ka hapësirën e vet në planifikimin e pushimeve.

Ndërsa “Huffington Post” jep 6 këshilla për të kaluar pushime të shkëlqyera.

1. Mos i planifikoni pushimet të vetëm
Përfshini të gjithë në planin tuaj, familjet që mund t’ju ndihmojnë në ndarjen e shpenzimeve; fëmijët që mund të organizojnë lojëra; familjarë që dinë të gatuajnë shumë mirë.

2. Jepini vetes kohë
Nëse dëshironi të bashkoni familjet e madhe, atëherë planet duhen bërë më herët se vera, në mënyrë që të gjithë t’i japin kohë dhe mundësi vetes të jenë të pranishëm.

3. Vendosni një datë fikse
Kjo ndoshta mund të jetë dhe pjesa më e vështirë e planifikimeve. Konsultohuni me të gjithë që do të jenë të pranishëm se mos ka përplasje datash për ndonjë dasëm, ceremoni diplomimi etj.

4. Caktoni vendtakimin
Së pari, duhet vendosur vendi i takimit. Do të jetë afër apo larg shtëpisë? Në zonë urbane apo rurale, në det apo në mal? Sepse duhet të jetë një vend që mund të mirëpresë një numër të madh njerëzish.

5. Bëni një ribashkim të përballueshëm
Një dallim i rëndësishëm mes një ribashkimi familjar dhe çdo lloji tjetër, është se ka mosha të ndryshme, aftësi e burime të ndryshme. Duhet të merrni në konsideratë se më të vjetrit jetojnë me pensione, dhe familjet e reja i llogarisin mirë shpenzimet. Bëni zgjedhjet tuaja për të gjitha nivelet, në mënyrë që të jetë i përballueshëm dhe i kënaqshëm për të gjithë.

6. Planifikoni diçka për të gjithë
Duke i njohur të afërmit tuaj dhe çfarë ata pëlqejnë, do të thotë të planifikoni aktivitete që të përfshijnë të gjitha moshat dhe pasionet.

Top Channel